Vetura që iu vodh ministrit Liburn Aliu, kapet në kufi me Shqipërinë

Në media është raportuar se ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliut, mbrëmë i është vjedhur vetura zyrtare, Audi A3. Rastin për Telegrafin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, të cilët njoftuan se vetura është kapur pak orë më vonë nga autoritetet e Shqipërisë në pikëkalimin kufitar në Qafë Morinë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, ka deklaruar se janë kontaktuar nga autoritetet e Shqipërisë pasi kanë pasur dyshime dhe gjatë verifikimeve është vërejtur se vetura është e vjedhur.
“Sot, më 17.08. 2022 rreth orës 04:30 në Pikën e Kalimit Kufitar- Qafë Morinë, në dalje ka shkuar automjeti i markës Audi ngjyrë e zezë. Veturat në dalje kontrollohen nga autoritetet e Republikës së Shqipërisë. Gjatë kontrollit ata kanë pasur dyshime dhe kanë kërkuar bashkëpunim nga zyrtarë policorë të PK-së”.

“Gjatë verifikimeve është vërejtur se vetura është vjedhur. Vetura i përket Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, vetura drejtohej nga një mashkull, i cili kishte mungesë të dokumenteve dhe është prezantuar si: B.S., (viti i lindjes 1979, mashkull kosovar)”, ka thënë Krasniqi.

Tutje, ai ka bërë të ditur se rasti është duke u trajtuar nga autoritetet e Shqipërisë.

“Kurse, në Stacionin Policor ‘Qendra Prishtinë në ora 08:50 nga B.C., si ankues, është iniciuar rasti ‘Vjedhje’. Vlen të ceket se vetura kishte qenë e parkuar në parkingun e MMPHI-së në Prishtinë”.