Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, gjatë një bisede në Frontal në T7, ka thënë se ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, do të ishte i mirëseardhur si kryetar i Prishtinës. Por, sipas tij, ende nuk është vendosur se kush do të garojë për të parin e kryeqytetit nga subjekti që i takon.
“Nuk e di, këtë do ta vendosin anëtaret dhe aktivistët e Vetëvendosjes. Kandidaturat, o bëhet me një garë të brendshme. Është pak problem që nga tani ta jep një deklaratë se kush do të jetë kandidatë për kryetar të Prishtinës nga VV. Por, mendoj që një standard i Z. Vitia, do të ishte i mirëseardhur në secilin nivel”, ka thënë Abrashi.
I pyetur nëse do të paraqiste problem për të, kandidatura e kryetarit aktual, Shpend Ahmeti, deputeti i VV-së, Artan Abrashi, tha se nuk mendon që kjo do t’i paraqiste problem Vitisë.
“Nuk besoj që paraqet problem për neve asnjë kandidaturë tjetër, e sidomos në Prishtinë, për shkak se kemi cilësi dhe bagazh që e njohin qytetarët e Prishtinës. Prandaj, cilado qoftë kandidatura e VV-së për kryeqytetin, besoj që ai do të jetë kryetar i Prishtinës”, tha ai.
Ndërkohë, sa i përket kryeministrit të ardhshëm, Abrashi ka thënë bindshëm se ai do të jetë, Albin Kurti.
“Natyrisht, Albin Kurti.” – ka thënë Artan Abrashi në Frontal.