Për vite me radhë kanë qenë së bashku në një parti dhe kanë organizuar protesta e aktivitete së bashku. Por, Vetëvendosje ka injoruar Partinë Social Demokrate, e formuar nga disa ish-anëtarë të Vetëvendosjes duke mos i bërë ftesë për organizim të përbashkët të protestës, ashtu siç i bëri LDK-së.
Vetëvendosje në mbledhjen e kryesisë të mbajtur sot, ka vendosur që organizojë protesta kundër udhëheqjes së dialogut me Serbinë nga presidenti Thaçi.
“Pas diskutimeve të anëtarëve të kryesisë u mor vendim që të ftojmë Lidhjen Demokratike të Kosovës për organizimin e përbashkët të protestave dhe të fillojmë përgatitjet për to. Nga kryesia e VETËVENDOSJE!-s ngarkohen kryetari, Albin Kurti, nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, dhe, kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, që të vendosin kontaktet dhe të zhvillojnë takim me udhëheqjen e LDK-së. Është e nevojshme që më së largu nesër të përcaktohet data e protestës”, ka shkruar Vetëvendosje.
Kjo parti nuk ka dhënë sqarime pse nuk ka ftuar PSD-në, ndërsa deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim as nga LDK./Pacensure