Vetëvendosja thyen heshtjen: Dorëheqja e Thaçit e vonuar, shpresojmë të kthehet i pafajshëm

Partia që udhëhiqet nga Albin Kurti ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës për ish-presidentin e vendit, Hashim Thaçi, dhe ish-kreun e PDK-së, Kadri Veseli.
Zyrtarë nga LVV-ja thonë se aktakuzat ndaj tyre lidhen me luftën e UÇK-së, e cila për LVV-në thonë se mbetet gjithnjë forcë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare. Si shqiptarë, natyrisht, shpresojmë që ata të kthehen të pafajshëm.

“Fatkeqësisht Kosova sot nuk është në gjendje ta mbrojë UÇK-në me institucionet e saj, për shkak se keqqeverisja në dekadat e pasl*uftës ka rezultuar në institucione të brishta të drejtësisë, të cilat nuk kanë fituar besimin e qytetarëve, e njëkohësisht i ka përkeqësuar marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë. E vlerësojmë gjestin e dorëheqjes prej presidencës të Hashim Thaçit si të duhur, por të vonuar. Do të ishte mirë të vepronte qysh kur erdhi lajmi për akuzat, e jo të linte vend për të menduar se në prapaskenë po negocion për të shpëtuar veten prej atyre akuzave. Dhjetë vitet e fundit janë dëshmi se si kushdo që ka pretenduar ta mbrojë UÇK-në përmes pazareve të fshehta, ka dështuar, dhe vetëm sa e ka rritur dëmin. Vetë Gjykata Speciale është padrejtësi e prodhuar prej tyre, përderisa ne si Lëvizje, bashkë me shumë veteranë e qytetarë, protestuam kundër saj”, thonë në LVV.

“Tash Kosovës i duhen zgjedhje të reja e të lira, prej të cilave do të dalë një qeveri e cila gëzon mbështetje dhe legjitimitet prej shumicës së qytetarëve, qeveri që ia kthen besueshmërinë vendore e ndërkombëtare Kosovës. Presidenti i ri nuk mund të dalë prej pazareve në Kuvendin e vjetër e të deformuar, por do të dalë me integritet e besueshmëri, nga Kuvendi i ri, pas zgjedhjeve të reja. E deri atëherë, në një tranzicion të shkurtër e transparent drejt zgjedhjeve të reja, znj. Vjosa Osmani si ud. e presidentes, do të kontribuojë për mirë në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Vetëm një qeveri e pakorruptuar, e zgjedhur demokratikisht e jo produkt i pazareve, do të mund ta përparojë Kosovën e ta mbrojë UÇK-në dhe ta vlerësojë ashtu siç e meriton. Të gjithë duhet të bëhemi bashkë në respektim të ligjit, vullnetit të qytetarëve e demokracisë, e jo për t’iu mbivendosur asaj”, thonë LVV-ja.