Veterinari shpjegon përse qentë endacakë po u vërsulen veturave

Qentë endacakë u vërsulen taksive por edhe veturave të tjera sa herë që lëvizin në rrugën “Xhorxh Bush”, në Prishtinë. E këtë gjë, sipas veterinarit Dritan Pozhegu, qentë e bëjnë për shumë arsye.

Ku njëra prej tyre është edhe përvoja e keqe që kanë pasur në të kaluarën, këta qenë me vetura të ngjashme.

“Shumë qenë këtë mund ta marrin edhe si lojë sepse iu pëlqejnë gjërat që lëvizin shpejtë dhe atakohen pas atyre objekteve. Përndryshe shumica e qenve të cilët janë në rrugë tek ne e që janë endacakë kanë pasur përvojë të keqe me makinat që shumë herë janë goditur prej tyre. Pra, ata qenë që janë goditur nga ato makina, në shumë raste i mbajnë mend ngjyrat e makinave dhe iu kujtohet dëmi që iu ka shkaktuar”, ka thënë Pozhegu.

E në raste të tjera vetë qentë veturat mund t’i shohin si gjah dhe vrapojnë për t’i ndjekur, sidomos kur janë të uritur.

“Duhet të njihet natyra e qenit, e cila bënë pjesë te kafshët gjahtar, qentë në natyrë e gjuajnë gjahun kur ka nevojë për t’u ushqyer. Në këtë rast me rrotat e veturës, qentë e marrin sikur gjah, kur një rrotë në një moment të caktuar lëviz shpejt, atëherë ajo për qenin simbolizohet si një gjah i tij dhe ai në një kohë të caktuar e ndjek atë pjesë të makinës”, ka shtuar Pozhegu.

“Pra qeni në mbrojtje të vetes vrapon pas tij, qeni asnjëherë nuk bën sulme për të sulmuar si kafshë e egër por gjithmonë për t’u mbrojtur dhe në këtë rast këto makina i lehë në mbrojtje të vetvetes”.

E kjo gjë po i frikëson edhe qytetarët. Ata thonë se kështu po veprojnë qentë në mëngjes zakonisht sepse edhe janë më të uritur.

“Shumë keq dhe shumë rrezik është sidomos për fëmijët dhe për pleqtë. Kryetari duhet të shikojë ta zgjedhë këtë punë sepse dikur do të bëhet vonë. Gjithkush ndihet i rrezikuar sidomos në mëngjes janë shumë të rrezikshëm sepse janë të uritur”, ka thënë Ukë Ulaj, qytetar.

“Po ndihem shumë e rrezikuar, por nuk po ndërmerr askush asgjë. Në mëngjes janë më të rrezikshëm, por edhe në mbrëmje por edhe gjatë ditës”, është shprehur Nagije Jaka, qytetare.

Një tjetër qytetar, thotë se përveç makinave qentë iu vërsulen edhe atij, duke theksuar që kjo është një gjë shumë shqetësuese.

“Nuk ka logjikë kjo gjë ne mes të Prishtinës të ndodhin këto gjëra, të ketë qenë endacakë. Këta duhet të strehohen diku, komuna duhet të ndërmarrë diçka. Mua mu vërsulen më herët, jo vetëm veturave”, ka thënë Brahim Morina, qytetar.

“Nuk është kjo në rregull, rrezik këtu ka sa të duash por situata është kjo që është. Po flitet dhe po flitet, por nuk po bëhet asgjë. Tash e pashë duke iu vërsulur makinave dhe e mendova thashë a ka dikush që del dhe i shikon këta qenë”, është shprehur Enver Maloku, qytetar.

Nga Komuna e Prishtinës thonë që po vazhdojnë të trajtohen qentë në kryeqytet edhe përkundër faktit që nuk ka ende një strehimore apo edhe një qendër trajtimi.

“Për trajtimin e qenve endacakë janë duke u realizuar 5 kontrata. Jo vetëm rruga ‘Xhorxh Bush’, por komplet zona qendër është duke u trajtuar bazuar në ligj, udhëzimet administrative dhe kontratat. Ku qentë merren në terren trajtohen nga operatorët dhe pas shërimit prapë kthehen në vendin ku janë marrë, nga se nuk ka vend apo strehimore për qëndrim afatgjatë për krejt qentë endacakë. Prandaj pas trajtimit prapë kemi prani të qeneve në terren por të trajtuar. Me qëllim të zvogëlimit të agresivitetit ne kemi ngritur 24 pika ushqyese të cilat i furnizojmë me ushqim çdo ditë”, ka deklaruar drejtori i Hapësirave Publike në komunën e Prishtinës, Habib Qorri.

200 mijë euro ka ndarë në buxhetin e këtij viti Komuna e Prishtinës për trajtimin e qenve endacakë.