Veteranët e UÇK-së: Lugina t’i bashkohet e jo të ndahet Kosova


Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së mbështetë idenë që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci të bashkohen me Kosovën, mirëpo është kategorikisht kundër që të copëtohet territori i Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili në një intervistë për KosovaPress derisa ka komentuar idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjimin e kufirit me shtetin serb, ka deklaruar se nuk pajtohen që territori i Kosovës t’i jepet Serbisë.

Po ashtu, Gucati ka thënë se ka shumë paqartësi se çka po nënkuptohet korrigjimi i kufirit.

“Ne jemi për Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, me i marrë këto komuna që kanë qenë të Kosovës gjithmonë. Por, ne nuk jemi për me dhënë territor askujt, se Kosova është e vogël edhe e kanë copëtuar Kosovën. Kështu që, Organizata e Veteranëve të Luftës nuk e mirëpret mirë pa e ditë thelbin e kufirit dhe korrigjimin. Ne po e dimë se çka është fjala korrigjim, por nuk po e dimë se çka po dëshirojnë të bëjnë, aty janë në pyetje rreth 432 metra nëse nuk gaboj prej Preshevës deri në Istog, burim. Kështu që, neve na intereson shumë çka me korrigjim, cilën pjesë me korrigjua. A jemi për me marrë Kosovën lindore, ka qenë e Kosovës deri në vitin 56 ato pjesë kanë qenë të Kosovës, në vitin 56 shteti jugosllav atëherë dhe i ka marrë në territor të Serbisë. Organizata e Veteranëve të Luftës është për me marrë pjesën tonë që na takon, por për me copëtua Kosovën n uk jemi, për me nda kufij Kosovë nuk jemi”, ka thënë Gucati.

Kryetari i veteranëve të luftës thotë se do ta mbështesin presidentin e Kosovës, nëse arrin të marrë Luginën e Preshevës, mirëpo të njëjtën mbështetje sipas tij nuk e ka nëse tentohet që një milimetër të lëshohet territori i Kosovës, percjell Fakte.

Sipas tij, Kosova nuk ka tokë për të fal.