Protesta e veteranëve nga rajoni i Dukagjinit sot para Pallatit të Drejtësisë ka kaluar e qetë, por nga këta të fundit është lënë një ultimatum që brenda dhjetë ditëve të heqin dorë nga aktakuza e cila i ka gjetur mbi 20 mijë persona të dyshuar se janë duke përfituar jashtëligjshëm nga statusi i veteranit të UÇK-së.
Veteranët kanë kërkuar që deri me 8 tetor, prokuroria të heq dorë nga aktakuza dhe të kërkojë falje për, siç u tha, denigrimin e vlerave të luftës, shkruan gazetametro.net.
Kërkesa e parë e tyre ishte që të fillojnë hetimet se kush është fajtori që publikoi ilegalisht të dhënat personale të veteranëve.
“Të hedhet poshtë si e pabazë aktakuza e Prokurorisë në rastin e veteranëve. Çdo gabim që ka ndodhë gjatë verifikimit të veteranëve, jemi vet ne luftëtarët që do të kontribuojmë në pastrimin e tyre, në bashkëpunim me Komisionin Qeveritar apo çfarëdo organi që caktohet nga qeveria për këtë qëllim”, thuhet në kërkesën e dytë.
“Në afat kohor deri më 8 tetor 2018 ne presim përgjigjen tuaj publike rreth kërkesave, kërkimfaljen e prokurorisë për denigrimin e vlerave të luftës dhe dinjitetin e veteranit”, thuhet në kërkesën e tretë.
Sipas Avdyl Mushkolaj, përfaqësues i veteranëve të Dukagjinit, nëse prokuroria nuk përmbush këto kërkesa, veteranët do t’i përshkallëzojnë protestat e tyre./gazetametro.net