“Vetëm puna në fushën e teknologjisë mund ta parandalojë ikjen e rinisë nga Kosova”

Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë bashkë me Shoqatën për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit (STIK), kanë organizuar takim të njohësve dhe pronarëve të kompanive të ndryshme të teknologjisë në Kosovë me të rinj, në kuadër të Javës së Evropës.

Studentë dhe të rinj të cilët tashmë kanë zgjedhur për studim dhe profesion fushën e teknologjisë informative kanë dëgjuar përvojat e udhëheqësve të kompanive teknologjike të cilat kanë shtrirje ndërkombëtare.
Përfaqësuesja e STIK-ut, Vjollca Qavolli, tha për AA se sektori i teknologjisë është duke u zhvilluar në mënyrë marramendëse dhe ka nevojë për fuqi punëtore vazhdimisht dhe takime të tilla e organizuar nga Shtëpia e Evropës dhe STIK ka për qëllim fuqizimin e të rinjve në këtë fushë.

“Unë mendoj se teknologjia është i vetmi sektor që e parandalon ikjen e trurit jashtë vendit. Për shkak të rrethanave në të cilat jetojmë, për shkak të teknologjisë së informacionit, këta të rinj mund sot të punojnë nga shtëpia për ndonjë kompani jashtë vendit ndërkohë të paguhen me paga të mëdha dhe të jetojnë në rrethin familjarë dhe miqësor të njëjtë”, theksoi Qavolli.

Qavolli tha se edhe në këtë sektor ka të rinj që ikin nga Kosova, megjithatë arsyet e tyre janë të ndryshme nga pjesa tjetër e të rinjve, si shëndetësia dhe arsimi. Ajo thotë se potenciali i zhvillimit të kësaj fushe në Kosovë është shumë i madh prandaj duhet edhe mbështetje shtetërore.

Astrit Leti, përfaqësues i një kompanie në Prishtinë, me seli në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), e cila jep shërbime për monitorimin e mallrave gjatë transportit, thotë se promovimi i teknologjisë së informacionit është vlerë evropiane. Leti thotë se në Kosovë janë identifikuar mbi 5 mijë inxhinierë të cilët veprojnë dhe punojnë në Kosovë direkt me kompani të ndryshme që ofrojnë produkte e shërbime të ndryshme.

“Vlera e gjithë kësaj vetëm për vitin 2021 ka arritur 130 milionë shërbime eksport në teknologjinë e informacionit. Kjo është një rritje substanciale krahasuar me një kohë para pandemie”, theksoi Leti i cili thotë se vendet e rajonit qëndrojnë më mirë se Kosova në këtë aspekt mirëpo edhe mundësia e Kosovës përpara është shumë e madhe.
Ai thotë se zakonisht parakusht për t’u marrë me këtë fushë, përpos njohurive ekzakte, janë edhe gjuhët e huaja, anglishtja, gjermanishtja por edhe gjuhët skandinave për shkak të projekteve të ndryshme.

Studenti Ardi Breznica student i Teknologjisë Informative, i cili ka marrë pjesë në këtë takim, ka sugjeruar të rinjtë të merren me teknologji e cila “hapë shumë dyer” për të ardhmen.
“Nga qëllimet e mia kryesore është që nëpërmjet programimit një ditë t’i ndihmojë Kosovës dhe puna ime të jetë shkaktar që Kosova ka arritur diçka”, tha ai.

Bazuar në të dhënat e raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) me titull “Rezultatet e Anketës së Përdorimit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit, 2021”, del se mbi 96,1 për qind të ekonomive familjare kanë qasje në internet./Anadolu Agency/