Vetëm 4 ditë ujë dhe energji për spitalin në Gaza, vendi përballet me katastrofë humanitare

Izraeli vazhdoi të godasë edhe gjatë natës Gazën me sulme ajrore, duke vrarë dhjetëra njerëz, përfshirë nëntë fëmijë në qytetin Khan Younis.

Zyrtarët në Gaza thonë se enklava përballet me katastrofë humanitare me mbylljen e termocentralit të vetëm të territorit për shkak të mungesës së karburantit.

Spitalit kryesor në qytetin e Gazës i kanë mbetur vetëm katër ditë karburant për gjeneratorët e tij, thonë grupet e ndihmës. Rrethimi i Izraelit do të thotë se ushqimi dhe uji i pastër po mbarojnë.

Pa energji për pompat, ujërat e zeza të papërpunuara po grumbullohen në disa rrugë.

Egjipti fqinj po bën thirrje për një armëpushim humanitar gjashtë-orësh për të marrë ndihma.

Bombardimi ka shënjestruar edhe gjykatën e Gazës. U godit edhe porti i ri, i cili ishte në ndërtim e sipër. Anijet luftarake izraelite kanë në shënjestër pjesët bregdetare të Gazës.