Veseli përkrah ndërtimin e xhamisë: Ta gëzojnë myslimanët e Kosovës dhe të luten për shtetin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ka përkrahur ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë, pavarësisht debateve dhe kundërshtimeve që po bëhen.
Veseli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se përkrah çdo komunitet detar sepse kjo është praktikë e vendeve demokratike dhe vlerë e popullit të Kosovës.

Postimi i plotë nga Veseli:

Kombi ynë shqiptar, është i veçantë, se në gjirin e saj ka diversitetin fetar e kulturor të tri besimeve monoteiste.
Islami, Katolicizmi dhe Ortodoksizmi, përbëjnë shpirtin e kombit tonë. Me krenari mund të themi se toleranca dhe bashkëjetesa e këtyre besimeve është e natyrshme tek shqiptarët.
Kryeqyteti i Republikës së Kosovës e shpërfaq këtë bashkëjetesë. Prishtina ka Katedralen e saj të bukur e shumë shpejtë edhe Xhaminë qendrore, ku besimtarët myslimanë do t’i ndjekin ritet e tyre.

Në demokraci, protesta është instrument i garantuar për të shprehur mendimin në mënyrë paqësore dhe si e tillë duhet të mbetet, pa cenuar apo nxitur urrejtje.
Unë personalisht kam qenë përkrahës i madh që çdo komunitet fetar ta ketë qendrën e tyre të besimit në kryeqytet. Është praktikë e vendeve demokratike dhe mbi të gjitha, vlerë e popullit tonë.
Ta gëzojnë Xhaminë qendrore myslimanët e Kosovës e të luten për shtetin dhe të mirën e popullit tonë.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!

https://www.facebook.com/kadriveseliofficial/posts/1649858125189387