Veseli-Kurtit: Ti as nuk e njeh e as nuk e do Kosovën


Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij para deputeteve në seancën për zgjedhjen e Qeverisë, ka thënë se sot po synon të bëhet kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, i cili as nuk e njeh e as nuk e ndjen Republikën e Kosovës si shtet, prandaj sipas tij, Kurti nuk mendon as të jetojë në Kosovë.

“E vërteta e parë, është se si po ua lëmë Kosovën sot, të cilën ti Albin Kurti as nuk e njeh, as nuk e ndjen dhe as nuk e mendon si vend për të jetuar. E vërteta e dytë, fatkeqësisht tregon se ti je sot këtë mbi rrënojat e një tregimi të zi për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. Ti ke protestuar kundër gjithçkaje të mirë që i ka ndodhur Kosovës. Ke sulmuar policët më të mirë dhe institucionet e Kosovës”, tha Veseli.

Lideri i PDK-së e ka pyetur Kurtin se a do ta luftojë Serbinë me këtë qeveri, apo ushtarët e UÇK-së përmes Gjykatës Speciale?

“Sepse, ti dhe gjysma e ministrave tu gjithmonë keni kërkuar burg për çlirimtarët e Kosovës. Si është e mundur që asnjë patrioti nuk i bëre vend në kabinetin qeverisës? I eliminove edhe në Kuvend”, tha ai.

Kreu i PDK-së ka paralajmëruar nismat kryesore që do t’i iniciojë PDK në Kuvend.

“Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë përgjegjësi për temat më të ndjeshme të Kosovës, që nga paslufta. Do t’i hapim dhe diskutojmë këtu krejt marrëveshjet e arritura në dialog, për ta mësuar të vërtetën a ka tradhti a jo? Nëse ti shkon në dialog pa kërkuar falje Serbia, pa u kthyer eshtrat e secilit shqiptar, siç ke premtuar, a je tradhtar a jo? Do të flasim për taksën e vendosur ndaj Serbisë. A do ta heqësh ti apo jo? Do të flasim për të gjitha pasurimet në Kosovë, privatizimet dhe tenderimet. Do të flasim për krimet e komunistëve jugosllavë mbi shqiptarët në Kosovë. Do të flasim edhe për vrasjen e Astrit Deharit, me emrin e të cilit keni abuzuar dhe akuzuar çdo kundërshtar politik, përfshirë këta që i keni në koalicion. Do të flasim edhe për UÇK-në, edhe për SHIK-un. Do të flasim edhe për sulmet terroriste të ‘Syrit të Popullit’, mbi individë, familje dhe institucione. Do të flasim për të gjitha që duhet, e mbi të gjitha edhe për vrasjet politike, me të cilat shpesh është abuzuar me tragjeditë e tyre në kohë fushatash”, tha Veseli.

Ai ka thënë se para qytetarëve të Kosovës Kurti do të jap përgjegjësi si kreu i organizatës terroriste Syri i Popullit”, deklaroi ai.

Kryetari i PDK-së ka thënë se koalicioni VV-LDK do jetë koalicion i pazareve dhe nuk do të merr asnjë vendim të mirë për Kosovën. Ai tha se PDK do të jetë gjithmonë në mbrojtje të vendit dhe qytetarëve,

“Do të jemi kujdestarë për çdo të mirë e të keqe që i vjen vendit tonë. Nuk do të lejojmë ta cenojë askush lirinë e pavarësinë e vendit tonë, dhe as të preken interesat kombëtare. Është vullneti i popullit, që po na përcjell sot. Është besimi i votuesve të Partisë Demokratike të Kosovës. Dhe mbi të gjitha, ky është amaneti i shokëve tonë të vrarë në luftë. Në fund të fundit, kjo është Kosova jonë dhe nuk do të guxojë askush dhe në asnjë vend ta tjetërsojë Kosovën e UÇK-së”, ka shtuar ai..