Veseli iu përgjigj ftesës së Thaçit për konsultime për formimin e qeverisë së re të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentit Hashim Thaçi për takim konsultativ lidhur me mundësinë për formimin e Qeverisë.

Ftesa Veselit i kishte ardhur një ditë më parë ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj partie, Avni Bytyçi, sipas të cilit takimi Thaçi-Veseli do të ndodh nesër në orën 11:00.

“Mund ta konfirmoj që Veseli e ka pranuar ftesën zyrtare nga presidenti i vendit Thaçi. Veseli do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentit dhe do të marrë pjesë në takimet konsultative që ai organizon, që kanë ardhur si rezultat të kalimit të mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë në seancën e kaluar. Kështu që Veseli do të marrë pjesë”, tha ai.

Ai tha se kryetari i PDK-së, do të shkojë në takim me presidentin, por që nuk ka ndonjë kërkesë politike.

“Veseli nuk e ka asnjë kërkesë politike, sidomos në këto rrethana. Veseli ka bërë të qartë më herët se pozicioni i tij është më shumë i orientuar nga pandemia dhe nga problemet ekonomike që po i shfaq vendi. Ndërsa, sa i përket çështjeve politike, unë mendoj se është momenti i fundit ose më i gabuar që të bëhet politikë në këto rrethana. Mirëpo, presidenti i vendit e ka ftuar dhe Veseli do t’i përgjigjet sigurisht ftesës”, u shpreh Bytyçi

Sipas Bytyçit, PDK-ja në asnjë mënyrë nuk do të iniciojë formimin e ndonjë Qeverie të re.

“Ne tani jemi duke analizuar situatën, një gjë mund ta konfirmoj edhe kështu sigurt që PDK-ja është parti opozitare dhe do të mbetet e tillë dhe nuk do të iniciojë në asnjë format formimin e ndonjë qeverie të re”, tregoi ai.