Vërtetohet nga MPB, vetura më e vjetër dhe më e re në Kosovë

Shqiptarët thuhet se janë të pasionuar pas veturave dhe shpejtësisë. E këtë e vërtetojnë të dhënat nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës (MPB).

Afro 400 mijë automjete qarkullojnë në rrugët e Kosovës. E veturat të cilat qarkullojnë në vend janë nga më të ndryshmet, por ato që vijnë nga familja e Volkswagenit mbeten më të preferuara për kosovarët.

Por, sa është mosha e veturave të “meraklive” kosovarë?
“Vetura më e vjetër në Kosovë është e vitit 1949, ndërsa vetura më e re është e vitit 2021”, thuhet në përgjigjen e MPB-së për portalin rtv21.tv.

Janë 3 mijë e 318 vetura që u prodhuan në vitin 2021 e që qarkullojnë në rrugët e Kosovës. Ndërsa, është vetëm një veturë 73 vjeçare e cila po konsiderohet si vetura më e vjetër me të drejt qarkullimi në rrugët e Kosovës.

Po ashtu edhe pesë vetura tjera janë të vjetra mbi 60 vjeçe. Ndërkaq, janë 78 vetura mbi 50 vjeçare.

Ssipas statistikave të MPB-së Kosova ka më së shumti vetura rreth 20-vjeçare. Janë 26 mijë e 272 vetura me të drejt qarkullimi të prodhuara në vitin 2003. Pastaj 25 mijë e 945 mjete të prodhuara në vitin 2002 dhe 25 mijë e 134 vetura me vit të prodhimit 2004.

Gjithashtu, janë 70 mijë e 403 vetura të vjetra deri në 10 vjet.