Qeveria e Malit të Zi ka autorizuar Ministrinë e Mbrojtjes të nxjerrë ushtrinë për të ndihmuar në përballimin e një krize emigracioni, duke i dhënë ushtrisë të drejtën për të vendosur një sërë patrullash të përbashkëta me forcat e policisë.
Duke filluar nga e enjtja, trupat malazeze do të angazhohen në kontrolle të zonës rreth kryqëzimit të Bozajt, në kufirin me Shqipërinë dhe vetëm një duzinë kilometra nga kryeqyteti Podgoricë.
“Kufiri do të kontrollohet nga patrulla të përziera me policë dhe ushtarë, kryesisht për të parandaluar kalimet e paligjshme të kufirit shtetëror me Shqipërinë, si edhe veprime të tjera të paligjshme në zonën kufitare,” tha Ministria e Mbrojtjes në një njoftim për shtyp.
Ministria gjithashtu tha se trupat do të vendosen në bazë të vendimit nga Këshilli i Mbrojtjes dhe Sigurisë, organi më i lartë i sigurisë i vendit, i cili përfshin kryeministrin dhe kryetarin e parlamentit dhe kryesohet nga presidenti.
Kur vendosi të nxirrte ushtrinë më 11 korrik, Këshilli tha se gjendja e sigurisë në kufi ishte “e kënaqshme”, por se trupat do të angazhohen atje deri në fund të vitit 2018.
Mali i Zi, Shqipëria dhe Bosnja kanë parë një rritje të numrit të refugjatëve dhe emigrantëve që shkojnë në veri në Kroacinë anëtare të BE-së që nga fillimi i vitit 2018 – një total prej 6,700 emigrantësh nga janari deri në fund të majit, më shumë se dyfishi i numrit të regjistruar në këto tri vende për të gjithë vitin 2017.
Në pesë muajt e parë të këtij viti, ka thënë qeveria, Mali i Zi ka regjistruar rreth 1,500 kalime të paligjshme, shumë më tepër se në vitin e kaluar.
Raportet e mediave lokale sugjerojnë se shumica dërrmuese vijnë nga Siria, Pakistani, Afganistani, Algjeria, Libia, Maroku, Palestina dhe Iraku.
Për shkak të rritjes së papritur të kohëve të fundit në kalimet e paligjshme, Mali i Zi tha në qershor se do të kërkojë një marrëveshje statusi me agjencinë e kufirit dhe migracionit të BE-së, Frontex, për të mbrojtur kufirin e saj me Shqipërinë.
“Përvoja ka dëshmuar se asnjë vend në rajon që është goditur nga valët e emigracionit nuk mund ta luftojë i vetëm këtë fenomen,” shpjegoi qeveria.
Duke parë një rritje në kalimet e paligjshme, autoritetet gjithashtu po shqyrtonin mundësinë e ngritjes së një gardhi me tela të stilit hungarez në kufirin 26 kilometra me Shqipërinë.
Në maj, Hungaria u ofrua të dhuronte gardhin me tela, por Podgorica tha se nuk ishte e nevojshme “deri më tani”.
Duke vizituar Podgoricën më 24 korrik, kryeministri hungarez Viktor Orban u ofrua përsëri të dhuronte gardhin. Kryeministri malazez Dusko Markoviç e falënderoi atë, por tha: “Për momentin, nuk ka arsye për këtë”./Birn/