Veriu i Kosovës: Tensione në Kuvendin e Shqipërisë, Sali Berisha bllokon foltoren


Kuvendi i Shqipërisë ka devijuar nga rendi i ditës për të folur për tensionet në Veri të Kosovës. Seanca po zhvillohet me debate dhe tensione mes ligjvënësve.

Berisha bllokoi foltoren e Kuvendit dhe nuk pranoi që ta lironte atë, duke vijuar të fliste edhe me mikrofon fikur, kurse Basha nga ana tjetër vijonte replikën nga vendi i vetë. Menjëherë garda ka rrethuar foltoren.

Deputetët e opozitës kërkojnë llogari në Parlament përse nuk është përfshirë në rend dite interpelanca me Kryeministri Edi Rama për çështjen e Kosovës, ku dy javë më parë u vra një efektiv i policisë në veri pas sulmit nga një grup i armatosur serb.

Kushtetuta, rregullorja, ligji e do që Kryeministri të ishte këtu në bazë të një kërkese që kemi bërë për interpelancë për të dhënë përgjigje për të gjitha ato çështje që në pozitën e Kryeministrit do duhet t’u shpjegojë shqiptarëve. Do duhet të njoftoje që në pikën e 2 të rendit të ditës ç’bëhet me interpelancën më Kryeministrin për cështjen e Kosovës. Sipas rregullores pika 1 do duhet të ishte kjo interpelancë. Ku e ke fshehur? Kryeministri të vijë e të tregojë gjithë qëndrimet. Sot është dita. Një shpjegim do duhet të na e bëhet ne, Parlamentit, shqiptarëve, por edhe shqiptarëve në Kosovë.

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla u përgjigj se në Konferencën e Kryetarëve u vendos që të gjitha çështjet për Kosovën do të diskutohen në një seancë të posaçme më 12 Tetor.

“Kërkesa juaj është kërkesë për interpelencë pa datë. Janë grupuar së bashku dhe do shqyrtohen në një seancë të dedikuar më 12 Tetor.”

Ministrja Elisa Spiropali deklaroi se të gjitha çështjet për Kosovën do të diskutohen në një seancë të dedikuar ku në fund Parlamenti do të dalë me një rezolutë në mbrojtje të Kosovës.

“Ramë dakord që kjo çështje që ka rëndësi kombëtare duhet nga ky kuvend të dalë një produkt i përbashkët dhe ramë dakord për një mocion me debat plot 6 orë ku do kemi mundësi të debatojmë këtu në Kuvend dhe të dalim me një rezolutë që mishëron vullnetin e Kuvendit të Shqipërisë për të mbështetur sovranitetin, integritetin territorial, sigurinë e Kosovës dhe të drejtën e saj për të qenë e lirë. Këtë ka bërë Shqipëria vijimësisht në politikën e saj shtetërore, qeveritare.”