Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, sot ka deklaruar se vala e tretë e pandemisë është duke u qetësuar.
Ai tha se me këtë ka ardhur edhe lehtësimi i masave kufizuese, por kërkoi nga qytetarët që të vazhdojnë të jenë të kujdesshëm.
“Ora policore dhe mbyllja e kafeneve u bë në formë parandaluese dhe kjo përshpejtoi zbrazjen e spitaleve. Në momentin kur filloi rritja e numrave atëherë vendosëm masa shtesë. Megjithatë e kishim parasysh se para nesh janë festat dhe e kishim parasysh përvojën nga viti i kaluar, se festat ishin në një moment të përkeqësimit të situatës epidemiologjike”.
“Është mirë që masat kanë dhënë rezultat dhe tani kemi numër gjithnjë më të ulët të diagnostikuarve të rinj, gjithnjë dhe më i vogël është pranimi i pacientëve në spital. Tërë kjo na e jep të drejtën të themi se kjo valë po qetësohet”, tha Filipçe.
Ndryshe, sot Qeveria duhet të merr vendim për propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive, që ora policore nga nesër të fillojë prej orës 21:00, si dhe të hapen kafenetë dhe të shërbejnë klientë, por vetëm nëpër tarraca.