Venko Filipçe: Të mos lejojmë të stërmbushen spitalet tona

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, në konferencën e djeshme për shtyp, deklaroi se edhe pse për momentin kapacitetet spitalore janë në gjendje të mirë, një nga sfidat mbetet presioni mbi sistemin shëndetësor.

Ai ju bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat për parandalimin e COVID-19 dhe me këtë të mos lejohet stërmbushja e spitaleve, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Të vetëdijshëm se do të ballafaqohemi me valën e vjeshtës, ne prej fillimit të verës kemi përgatitur sistemin tonë shëndetësor. I kemi rritur kapacitetet spitalore, funksionon sistemi i rotacioneve, por ne nuk mundemi pa ndihmën e qytetarëve. Të gjithë janë të rëndësishëm në këtë proces. T’i respektojmë masat dhe të mos lejojmë që të stërmbushen spitalet tona”.

“Mosrespektimi i masave do të thotë profesionistë të mbingarkuar dhe të lodhur të shëndetit, të cilët për shkak të numrit të madh të pacientëve, nuk do të jenë në gjendje të ofrojnë kujdes të duhur. Respektoni masat sepse kjo do të thotë gjithashtu respekt për profesionistët e shëndetit. Secili prej nesh duhet të kuptojë seriozitetin e asaj që na pret. Duhet të kuptojmë se mosrespektimi i masave do të na çojë në kufizime të reja që sigurisht askush prej nesh nuk i dëshiron. Mund të na çojë në një situatë kritike në spitale, në një pasiguri të re në çdo fushë”, tha Filipçe.