Ish ministri i shëndetësisë dhe aktualisht deputet nga radhët e LSDM-së, Venko Filipçe do të marrë pjesë në garën për kryetar të ri të socialdemokratëve, konfirmoi ai për MIA.
‘Po, po prezantoj kandidaturën për kryetar të LSDM-së,’ iu përgjigj shkurt ministri i mëparshëm i shëndetësisë.
Më herët, në garën për kryetar të ri të LSDM-së, ishin shprehur edhe ish-ministrja e mbrojtjes dhe aktualisht deputetja Slavjanka Petrovska dhe drejtori i TIRZ-së, Jovan Despotovski.
Flitet se është e mundur që të kandidojë edhe drejtori i Doganave, Stefan Bogoev.
Zgjedhjet brenda-partiake vijnë pas humbjes që partia pësoi në zgjedhjet parlamentare, ku fitoi 18 mandate parlamentare.
Venko Filipçe ishte kandidati në njësinë zgjedhore 4, ku partia fitoi pesë mandate. Më 31 maj, në LSDM filloi procesi për zgjedhjet brenda-partiake të jashtëzakonshme për kryetar të ri të partisë.
Kongresi është caktuar për 9 qershor, ku do të analizohen arsyet për rezultatin zgjedhor, dhe Këshilli Qendror i partisë ka propozuar ndryshime në Statutin e partisë që mandati i kryetarit të zgjedhur në zgjedhjet brenda-partiake të jashtëzakonshme të jetë katër vjet.
Në një njoftim të publikuar të premten, LSDM-ja njoftoi se Këshilli Qendror i partisë në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë ka miratuar Rregulloren për kriteret, mënyrën dhe procedurën për kandidimin dhe zgjedhjen e kryetarit për zgjedhjet të jashtëzakonshme, si dhe Rregulloren për mënyrën dhe procedurën e regjistrimit aktiv për anëtarë të LSDM-së.
Në bazë të Statutit të LSDM-së, vendimeve të Këshillit Qendror dhe vendimit të Këshillit Ekzekutiv, nga e premja LSDM-ja ka nxjerrë Thirrje të hapur për vet-kandidimin për të gjithë kandidatët e interesuar për kryetar të partisë.
‘Procesi për kandidimin fillon nga 31.05.2024 dhe do të zgjasë shtatë ditë, deri më 06.06.2024.’
Të drejtë për kandidaturë kanë të gjithë anëtarët e LSDM-së që plotësojnë kriteret dhe normat e larta etike, morale dhe etike.
Kandidat për kryetar të LSDM-së mund të jetë person me të paktën 5 vite anëtarësi në LSDM që të paktën një herë është zgjedhur nga Kongresi i LSDM-së si anëtar i ndonjë nga organet e partisë, tha partia.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme brenda-partiake do të mbahen më 30 qershor. Zgjedhjet do t’i mbajë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve së Bashku me 80 komisionet zgjedhore komunale dhe Komitetet e qendrave të votimit në nivel lokal.