Venezuela akuzon se ka pasur sulm kibernetik ndaj komisionit të zgjedhjeve nga Maqedonia


Prokurori publik i Venezuelës, Tarek William Saab, akuzoi liderët e opozitës Lester Toledo, Leopoldo Lopez dhe Maria Corina Machado për organizimin e një sulmi kibernetik ndaj CNE, komisionit shtetëror zgjedhor të Venezuelës. Sipas prokurorit, sulmi kibernetik ishte kryer nga Maqedonia, raportojnë mediat në Venezuelë.

Në një konferencë për shtyp, prokurori i regjimit në Venezuelë deklaroi se sulmi kibernetik vinte nga “Maqedonia e Veriut” dhe kishte për qëllim manipulimin e të dhënave të votave.

“Për fat të mirë, kjo veprimtari u parandalua, por arriti të shtyjë leximin e rezultateve. Qëllimi ishte të përziheshin raportet e vërteta. E kemi lokalizuar dhe identifikuar udhëheqësin kryesor – Lester Toledo,” tha ai.

Prokurori Saab njoftoi një hetim penal edhe kundër lideres së opozitës Maria Corina Machado, duke e akuzuar atë se së bashku me dy persona të tjerë kishte koordinuar sulmin kibernetik ndaj CNE (Këshilli Kombëtar Zgjedhor) nga Maqedonia gjatë zgjedhjeve presidenciale në vend.

Të dielën, në zgjedhjet presidenciale në Venezuelë, fitoi presidenti aktual Nicolas Maduro.

Ndërkohë, mijëra njerëz dolën në qendër të Karakasit, ku shpërthyen protesta një ditë pasi presidenti Maduro pretendoi se kishte fituar në garën zgjedhore për një mandat tjetër.