Vendimet që i mori sot Qeveria

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka mbajtur seancën e 54-t, ku u miratua edhe propozim-ligji për konsumatorët, ku planifikohen dënime për praktikat e pandershme tregtare, praktika që dëmtojnë konsumatorin. Me këtë ligj, planifikohen edhe dënime prej 500 deri 10 000 euro për kompanitë që shkelin të drejtat e konsumatorëve, ndërsa në disa raste planifikohet edhe ndërprerja e veprimtarisë së kompanisë prej tre muajve deri dy vjet.

U miratua Informacioni për shëtitjen e fëmijëve nga familjen me rrezik social për këtë verë. Për realizimin e pushimit shtatëditor, Qeveria e ka angazhuar Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale, për çka do të shpallet thirrje në ueb faqe. Me miratimin e propozim-ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, i hapet rrugë themelimit të qendrës informative-kulturore në Beograd dhe Shkup.

Qeveria angazhoi Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor që të rregullojë shpërndarjen e pensioneve në grupe, varësisht nga niveli i pensionit. Pensionet do të shpërndahen prej 28 qershorit në makinat bankare, ndërsa në sportelet e bankave do të shpërndahen prej 28 qershorit deri më 1 korrik, varësisht nga niveli i pensionit.

Maqedonia e Veriut do të dërgojë për gjashtë muaj 31 pjesëtarë të Armatës në operacionin e NATO-s, në misionin “KFOR” në Republikën e Kosovës. Dy pjesëtarë tjerë do t’i dërgojë në ushtrimet “Anatolian Eagle 22” në Turqi./Portalb/