Skenari i mundshëm më i keq me virusin Kovid-19 në vjeshtë do të thoshte koncentrim më i madh i njerëzve në hapësira të mbyllura, numër plotësues i të sëmurëve nga gripi sezonal që mund të shkaktojë stërngarkim në spitale me pacientë dhe kjo të mos mund të menaxhohet. Ky skenar, siç theksoi dje ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, mund të evitohet, por nëse kjo nuk ndodhë, autoritetet shëndetësore do ta presin të përgatitura.
Vala e dytë e virusit, sipas Filipçes, ishte rezultat i mosrespektimit të masave për mbrojtje. Ai konsideron se duhet të ketë sanksione atje ku nuk respektohen masat. Gjatë periudhës së kaluar, siç tha, kishte lëshime, njerëzit nuk kontrolloheshin si dhe vendet ku organizoheshin ngjarje. Edhe qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm se masat duhet të respektohen për ta mbrojtur shëndetin e të gjithëve.
Për çdo pacient me Kovid-19, FIlipçe pohon se është bërë gjithçka duhet edhe në raport me stadiumet para vendosjes në makinë respiratore, dhe në raport me trajtimin derisa pacientët janë në makinë respiratore.
Ai dje kumtoi edhe se deri në dy javët në vijim do të dihet nëse nga shtatori do të fillojnë me punë kopshtet dhe shkollat. Gjasat, siç tha, janë të mëdha, por të harmonizohen të gjitha protokollet.
Në vend dje u regjistruan 113 raste të reja me Kovid-19. Prej tyre në Shkup-35, Shtip-23, Gostivar-15, Kumanovë-12, Manastir-7, Ohër-6, Tetovë-5, Koçan dhe Demir Hisar nga dy, ndërsa në Prilep, Strugë, Probishtip, Makedonski Brod, Vallandovë dhe Vinicë nga një rast.
Vdiqën gjashtë pacientë, tre në Shkup, në moshën 64, 22 dhe 83 vjeç, një në Kumanovë – 72 vjeç, një në Strugë-48 vjeç dhe një në Ohër – 75 vjeç. Pacienti 22-vjeçar nga Shkupi, siç kumtoi dje Ministria e Shëndetësisë, ishte me sindromin Daun. Ai në gjendje të rëndë të përgjithshme u pranua në spitalin “8 Shtatori” më 16 korrik. Pesë pacientë kanë vdekur në kushte spitalore, ndërsa një jashtë spitalore.
Instituti për shëndet publik dje ka regjistruar 259 pacientë të shëruar në: Shkup-103, Kumanovë-13, Dibër-1, Shtip-75, Tetovë-31, Manastir-2, Kavadar-2, Gostivar-19, Koçan-2, Probishtip-2, Demir Hisar-1, Kratovë-2, Shën Nikollë-4, Resjë-2, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Në Klinikën infektive gjatë 24 orëve të fundit janë pranuar gjashtë pacientë të rinj. Gjithsej janë hospitalizuar 83 pacientë, nga të cilët në përkrahje të oksigjenit janë 49, ndërsa 1 pacient është në ventilim mekanik. Në spitalin në Kozle janë hospitalizuar 15 pacientë të moshuar pozitivë në Kovid-19 dhe gjashtë fëmijë pozitivë me virus. Në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar 10 të rinj. Gjithsej janë hospitalizuar 78 pacientë, nga të cilët në aparat respiratorë janë tre pacientë.
Në spitalin në Manastir janë hospitalizuar 30, ndërsa në spitalin në Shtip janë hospitalizuar 48 pacientë. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep, Gostivar, Strumicë dhe Strugë janë hospitalizuar 120 pacientë – pozitivë dhe të dyshimtë me Kovid-19.
Numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostikuar me Kovid, në vendin tonë nga fillimi i epidemisë arrin në 11.399, numri i pacientëve të shëruar është 7.480, të vdekurve 517, ndërsa për momentin numri i rasteve aktive në vend arrin në 3.402.
Në Shkup ka më së shumti raste aktive – 1.231, ndërsa prej tyre në Komunën e Çairit – 164, Aerodrom -139, Kisella Vodë – 129, Gazi Babë – 121, Karposh – 110, Qendër – 101, Shuto Orizarë – 100, Butel – 80. Pas Shkupit, më së shumti raste aktive në vend ka Shtipi – 381, më pas Gostivari – 283, Kumanova – 260, Struga – 187, Tetova – 186, Sveti Nikole – 130, Dibra – 117, Kërçova – 109.
Deri më tani në vend janë bërë gjithsej 109.946 testime të Kovid-19.