Vendet më të fuqishme në botë arritën marrëveshje: Ukrainës do t’i jepet një hua prej 50 miliardë dollarësh

Liderët e G7, ekonomitë më të mëdha botërore, sot u pajtuan për një marrëveshje për të siguruar Ukrainën me hua në vlerë prej 50 miliardë dollarësh, duke përdorur interesin e mbledhur nga fondet e ngrira ruse. Marrëveshja politike ishte në qendër të ditës së parë të samitit vjetor të grupit në Italinë jugore, ku mori pjesë edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky për të dytin vit radhazi.

Shumë nga liderët e vendeve anëtare po përballen me vështirësi në vendet e tyre, por ata dëshirojnë të ndryshojnë gjërat në skenën botërore dhe të përgjigjen ndaj ambicieve ekonomike të Kinës. “Ka shumë punë, por jam e sigurt që në këto dy ditë do të mund të kemi biseda që do të çojnë në rezultate konkrete dhe të matshme,” u tha të ftuarve të saj kryeministrja italiane Giorgia Meloni në fillim të samitit në resortin luksoz në provincën jugore Apulia.

Plani i G7 për Ukrainën bazohet në një hua shumëvjeçare duke përdorur një pjesë të fondeve të sekuestruara ruse prej 300 miliardë dollarësh. Detajet teknike do të finalizohen në javët e ardhshme, tha për Reuters një burim diplomatik nga grupi. Burimi, që dëshiroi të mbetet anonim, tha se fonde shtesë do të arrijnë deri në fund të këtij viti. Një zyrtar i lartë amerikan deklaroi se SHBA-të janë dakord të sigurojnë deri në 50 miliardë dollarë vetë, por kjo shumë mund të ulet ndjeshëm pasi pjesëmarrjen e kanë njoftuar edhe vende të tjera.

Qëllimi i marrëveshjes është që ajo të zgjasë disa vite pavarësisht se kush është në pushtet në secilën nga vendet anëtare të G7. Liderët gjithashtu shprehën shqetësimin e tyre për situatën në kufirin izraelito-libanez dhe mirëpritën përpjekjet e SHBA-ve për sigurimin e një armëpushimi në Rripin e Gazës, thuhet në deklaratën e përgatitur që do të publikohet pas samitit. Ata gjithashtu bënë thirrje që Izraeli të përmbahet nga një ofensivë e gjithanshme mbi qytetin Rafah në pjesën jugore të Gazës “në përputhje me detyrimet e tyre sipas ligjit ndërkombëtar.”