Vëllait të Hashim Thaçit i janë paguar 176 mijë euro pas daljes në pension (DOKUMENT)

Më 20 qershor të vitit 2019, në një ditë të bukur vere, Asambleja e Përgjithshme e Byrosë Kosovare të Sigurimeve, me anë të një vendimi miraton kërkesën e Koordinatorit të Përgjithshëm për Planifikime Strategjike të asaj kohe, Gani Thaçi për pensionim të parakohshëm.

Përmes këtij vendimi, të siguruar nga KALLXO.com, Gani Thaçit, vëllait të ish presidentit Hashim Thaçi, Byroja Kosovare e Sigurimeve merr përsipër që t’i paguaj pagën prej 4 mijë eurove në muaj për periudhën që Gani Thaçi do duhej të punonte deri në pensionimin e rregullt.
“Lidhur me aprovimin e kërkesës si në pikën 1 të këtij vendimi, hartohet marrëveshje e veçantë e cila do të nënshkruhet nga Kryesuesi i Asamblesë, Agim Elshani dhe Koordinatori për Planifikime Strategjike, Gani Thaçi”, thuhet në vendim.

Porse, kjo marrëveshje, specifikonte që pagesa totale që arrinte vlerën prej 168 mijë eurove, pa llogaritur pagesat për Trustin Pensional, të mos bëhej e përmuajshme, por të bëhej në dy këste dhe atë në afat shumë më të shkurtër se 4 vjet. Pra, pagesa sipas marrëveshjes i siguronte Thaçit brenda gjashtë muajve nga vendimi, deri në muajin janar të vitit 2020, t’i marrë 168 mijë euro nga BKS si dhe 8 mijë e 400 euro shtesë ne emër të kontributit personal, e që gjithsej shkonin në 176 mijë e 400 euro.

“Shuma e përgjithshme e pagave e cila me rastin e pensionimit do t’i paguhen z. Gani Thaçi është 42 muaj *4,000 euro = 168,000 euro, ndërsa në emër të kontributit pensional, nga punëdhënësi BKS (5%) do të paguhet vlera prej 8,400.00 euro, gjithsej 176,400.00 euro. Shumat si më lartë do të paguhen në dy këste të barabarta. Kësti i parë do të paguhet deri më 10.08.2019 ndërsa kësti i dytë do të paguhet deri më datë 10.01.2020”, shkruan në pikën 3 të Vendimit të Asamblesë së përgjithshme të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.
Vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të Byrosë Kosovare të SigurimeveKy vendim gjithashtu tregon edhe për kohën kur Gani Thaçi ka paraqitur këtë kërkesë në Asamble.