“Veçernji list”: Bullgaria e shfrytëzon anëtarësimin në BE për mohim të identitetit maqedonas


Prejse në mars të këtij viti, gjatë kryesimit kroat me Unionin mori dritë të gjelbërt për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, Maqedonia e Veriut tani pret që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet deri në fund të vitit, me çka formalisht hapen kapitujt e parë nga procesi negociues, por Bullgaria kërcënohet me bllokimin e tij, citon gazeta e Zagrebit “Veçernji list”.

“Mes tjerash, bullgarët kërkojnë që gjuha maqedonase të mos quhet maqedonase, por vetëm “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Bullgaria lë përshtypje se e shfrytëzon anëtarësimin në BE për ta mohuar identitetin maqedonas”, vlerëson gazeta.

“Veçernji list” citon se në mbledhjen e mbrëmshme të Komitetit të përfaqësuesve të përhershëm nga vendet anëtare të BE-së, ambasadori bullgar e ka shpërndarë “memorandumin sqarues”, në të cilin, mes tjerash, siç potencon gazeta, pohoet se mbiemri “maqedonas” nuk emëron identitet nacional, por preardhje gjeografike, si dhe se Josip Broz Tito, i inspiruar nga Komintermi, u ka dhënë “identitet të ri njerëzve të cilët më parë janë deklaruar si bullgarë, serbët më vonë kanë dashur t’i identifikojnë si serbë jugor, ndërsa Tito i ka shpallur për maqedonas”.

“Bullgaria mund të gjendet nën presion të vendeve tjera anëtare të cilat duan ta shpërblejnë Shkupin zyrtar për punën e vështirë në fillimin e negociatave me BE-në. Qeveria e kryeministrit Zoran Zaev u pajtua edhe në ndryshimin e emrit të shtetit, për t’i mënjanuar pengesat për fillim të negociatave, që vinin nga Greqia, ndërsa para Marrëveshjes me Greqinë ishte nënshkruar edhe Marrëveshje për marrëdhënie miqësore me Bullgarinë, e cila duhej t’i mënjanojë pengesat bullgare. Por, bullgarët vazhdojnë të kërcënohen me veto”, shton gazeta.

Edicioni i Zagrebit potencon se diplomatët në Bruksel shpresojnë se “gjithçka do të sheshohet” deri më 10 nëntor, kur në mbledhjen e Këshillit për punë të përgjithshme të BE-së duhet të miratohet vendimi për konvokim të konferencës së parë ndërqeveritare.

“Shpresat e tilla bazohen edhe në faktin që në ditën e njëjtë në Sofje mbahet Samiti i procesit berlinas, bashkëkryesues të së cilës janë Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Procesi berlinas për përforcimin e bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor, të cilën e mendoi dhe fuqishëm e shtyu Gjermania, ishte i rëndësishëm për vendimin e pranverës për dritën e gjelbërt gjatë kryesimit kroat, ndërsa tani është ende më i rëndësishëm se ky vend është kryesues aktual me Këshillin e BE-së”, përfundon “Veçernji list”.