“Vdiq në Komisariatin e Korçës, përfundon ekspertiza mjeko-ligjore për të riu”

Ka përfunduar ekspertiza mjeko-ligjore për të riun, që vdiq ditën e sotme në ambientet e Komisariatit. 27-vjeçari Enea Ftoj rezulton se ka shenja të dukshme dhune në krahë, shpatulla, si dhe goditje në fytyrë.

Ndërkohë, përgjigjet e ekspertizës pritet të bëhen publike pas tre javësh. Familjarët e 27-vjeçarit kanë tërhequr trupin e viktimës nga morgu, ndërsa kanë akuzuar policinë se nuk i kishte njoftuar për ngjarjen. Ata kanë deklaruar se të riun e ka vrarë vetë policia, duke shtuar se ai nuk ishte i sëmurë.

Në lidhje me ngjarjen dhe pretendimet e familjarëve kanë nisur hetimet nga prokuroria e Korçës. Është caktuar një prokuror dhe dy oficerë të policisë gjyqësore për të vijuar hetimet dhe kryerjen e veprimeve të ngutshme proceduriale.

Prokuroria sekuestron kamerat e ambienteve të Komisariatit dhe dhomave të sigurisë.