Një djalosh 4-vjeçar shqiptar ka gjetur vdekjen tragjike në Londër. Lindita dhe Kastriot Klosi e dërguan djalin e tyre, Danielin, në Spitalin Royal Free në Camden, katër herë para se të gjente vdekjen por mjekët e linin të shkonte duke i thënë se s’kishte gjë.
Gjatë vizitës së dytë dhe të tretë, çifti pretendon se mjekët i këshilluan të jepnin djalit të tyre Calpol dhe Ibuprofen. Në vizitën e katërt, Danieli, fëmijë i diagnostikuar me spektrin e autizmit, u shtrua në repartin e urgjencës për fëmijë por vdiq disa orë më vonë.
Nëna e tij, Lindita, asistente farmaciste dhe mjeke e kualifikuar në Shqipëri tha për mediat angleze: “Daniel ishte djalë i adhurueshëm dhe ishim shumë të bekuar që ai ishte djali ynë. Ai adhuronte të gatuante me mua. Ai adhuronte kafshët, të dëgjonte histori dhe të luante me shokët e tij. Daniel ishte shumë kurioz dhe i etur për të mësuar. Ai të kënaqte.
Ne ende po përpiqemi të kuptojmë çfarë ndodhi me Danielin dhe pse. E çuam vazhdimisht në spital dhe ishim shumë të shqetësuar për gjendjen e tij, por asgjë nuk të përgatit për lajmin se djali yt i vogël tashmë ka vdekur.”
Çifti i shqetësuar për Danielin, i cili sipas tyre kishte ndaluar së ngrëni, e çuan përsëri në spital të nesërmen, por u përcollën në shtëpi sërish nga mjekët. Ata shkuan sërish në spital me Danielin rreth orës 16:00 të po asaj dite, dhe pas rreth katër orësh në urgjencë, ai u shtrua në spital. Megjithatë, gjendja e tij u përkeqësua dhe ai vdiq në orët e para të mëngjesit të ditës tjetër, të dielën, më 2 prill.
Lucy Macklin, avokatja e neglizhencës mjekësore që përfaqëson çiftin, tha: “Të përpiqesh të pranosh vdekjen e Danielit dhe ngjarjet që çuan në vdekjen e tij ka qenë jashtëzakonisht e vështirë për Linditën dhe Kastriotin. Ata vazhdojnë të kenë shumë pyetje dhe shqetësime të kuptueshme rreth kujdesit që mori djali i tyre dhe rreth vdekjes së Danielit.
Edhe pse asgjë nuk mund të kompensojë vdekjen e Danielit, ne jemi të vendosur t’i mbështesim të dashurit e tij që të paktën të marrin përgjigjet thelbësore që meritojnë. Hetimi është një hap i rëndësishëm për ta arritur këtë.”
Një zëdhënës nga spitali Royal Free London tha: “Jemi thellësisht të trishtuar nga vdekja e Danielit edhe një herë duam të shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për familjen e tij. Ne kemi kryer një hetim mbi kujdesin që mori Danieli dhe gjetjet u ndanë me familjen e tij. Ne presim rezultatet e hetimit.”