Vdes personi më i moshuar në botë, japonezja 116-vjeçare Tomiko Itoka

Japonezja Tomiko Itoka, e njohur si personi më i moshuar në botë nga Libri i Rekordeve Guinness, ka ndërruar jetë në moshën 116-vjeçare. Itoka ndërroi jetë në një shtëpi për të moshuarit në qytetin Ashiya, sipas autoriteteve lokale.

Ajo u bë personi më i moshuar në botë në gusht të vitit 2024, kur ndërroi jetë spanjollja Maria Morera në moshën 117-vjeçare.

“Zonja Itoka na dha kurajo dhe shpresë gjatë gjithë jetës së saj. E falënderojmë për këtë,” tha kryebashkiaku i Ashiya, Rijosuke Takashima, në një deklaratë.

Itoka ishte lindur në maj të vitit 1908, gjashtë vite para Luftës së Parë Botërore.
Ajo u verifikua si personi më i moshuar në planet në shtator të vitit 2024 dhe mori certifikatën zyrtare në Ditën e Respektit për të Moshuarit, një festë japoneze në nder të qytetarëve të moshuar.

Në rininë e saj, ajo luante volejboll dhe dy herë ishte ngjitur në malin Ontake, mbi 3,000 metra të lartë. Në vitet e mëvonshme, ajo shijonte të hante banane dhe të pinte “Calpis,” një pije qumështi popullore në Japoni, sipas deklaratës së kryebashkiakut.

Ajo u martua në moshën 20-vjeçare dhe kishte dy vajza dhe dy djem, sipas Guinness. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ajo punonte në fabrikën e tekstilit të bashkëshortit të saj, i cili ndërroi jetë në vitin 1979. Që atëherë, ajo jetoi e vetme.

Në Japoni ka mbi 95,000 persona mbi moshën 100-vjeçare, prej të cilëve 88 për qind janë gra. Nga 124 milionë banorët e Japonisë, pothuajse një e treta janë 65 vjeç ose më shumë.

Murgesha braziliane Ina Lukas, e lindur 16 ditë pas Itoka-s, besohet të jetë tani personi më i moshuar në botë.