Vdes një 80-vjeçar nga COVID-19, shkon në 35 numri i viktimave në Kosovë

Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se të shtunën ka vdekur edhe një person që ishte i infektuar nga coronavirusi, duke çuar në 35 numrin e viktimave nga COVID-19 në Kosovë.

Viktima është një 80-vjeçar me inicialet A.G. me vendbanim në Prishtinë.

“Klinika Infektive e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka njoftuar se sot, më 20 qershor 2020, në këtë klinikë ka vdekur pacienti A.G. (1940), me vendbanim në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se pacienti që ka ndërruar jetë, krahas diagnostikimit me Covid-19, vuante edhe nga disa sëmundje të tjera shoqëruese”.

Marrë parasysh të dhënat e fundit, autoritetet e Kosovës deri më tani kanë regjistruar 1,916 persona të prekur me sëmundjen, COVID-19, që shkakton Coronavirusi i ri.

Prej tyre, 973 persona janë shëruar, derisa 35 pacientë kanë vdekur.

Klinika Infektive, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka raportuar se të premten në këtë institucion janë të shtrirë 79 pacientë, prej tyre 65 të prekur me coronavirus.