Vdes ish-deputeti i Kushtetutës së Kaçanikut

Ka ndërruar jetë, ish-deputeti i Kosovës, në Kuvendin e Kaçanikut, Ali Shahini.
Ai përveç kontributit të dhënë si nënshkrues i Kushtetutës së Kaçanikut, familja e tij kishin dhënë kontribut edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, djemtë e të cilit, ishin kyqur në idealin për liri.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.
Ali Shahini, ishte dekoruar kohë më parë, për kontributin e tij dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Njoftimi i plotë nga kryetari i Ferizajt:
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Me pikëllim të thellë, mora lajmin për ndarjen nga jeta të deputetit të Kushtetutës së Kaçanikut më 7 Shtator 1990, prindit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ali Shahini.Vepra e tij e guximshme për themelet e Kosovës, mishëruar në Deklaratën e Pavarësisë dhe Kushtetutën e Kaçanikut të 7 Shtatorit 1990, frymëzim që brumosi edhe bijtë e tij në radhët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, tashmë është skalitur në faqet e historisë së re të Kosovës.Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve e të njohurve të të ndjerit.I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!