Vd*es humoristi shqiptar, Paulin Preka

Një nga yjet e humorit shkodran dhe atij shqiptar Paulin Preka, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare, njoftoi familja. Ai mbylli sytë në Itali, ku jetonte prej vitesh me familjen e tij.
Paulin Preka ka lindur në Shkodër në vitin 1935. Atje ai hodhi hapat e parë, i prirur nga talenti i tij për të shkruar biografinë e tij artistike, e cila vite më vonë do ta radhiste në brezin e artë të aktorëve që krijuan një plejadë të papërsëritshme.

Në moshën 8 vjeçare, fare i vogël, u bë pjesmarrës në shoqërinë artistike të Kishës Katedrale të qytetit të Shkodrës, e cila aktivizoi fëmijë dhe të rinj, jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe në aktivitete kulturore dhe edukative. Në këtë kohë daton edhe interpretimi i parë i Paulin Prekës, i cili në melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat”, interpretoi rolin e tij të parë “Knapsi”. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodran dhe bashkë me bashkëmoshatarin Çesk Jubani u vlersuan me çmim të parë.

Në vitin 1953, falë pasionit dhe vullnetit që e karakterizonte Paulinin, u aktivizua pranë Shtëpisë së Kulturës. Nën drejtimin e regjisorit të mirnjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estrade amatore “Estradë në Penxhere” ku protagonistë ishin Tano Banushi dhe Paulin Preka.