Vdes 8 vjeçari: Preket edhe Franca nga sindroma e rrallë që lidhet me koronavirusin

Një 8-vjecar nga Marseja, humbi jetën si pasojë e sindromës së rrallë që po paraqitet te fëmijët e prekur nga Covid-19.

Ky është rasti i parë në Francë dhe i dytë në Evropë, i një të mituri që humb jetën nga simptomat e ngjashme me ato të Kavasakit, një sëmundje inflamatore që shoqërohet me simptoma të tilla si temperaturë, skuqje të lëkurës, fryrje te gjendrave të qafës dhe rënie të funksionit të organeve.

Siç bënë të ditur mjekët në Marsejë, djali ishte pranuar fillimisht në spital me temperaturë dhe ishte këshilluar të shkonte në shtëpi. Në dy maj ishte shtruar sërish, e 6 ditë më vonë kishte ndërruar jetë.

“Fëmija kishte simptoma të ngjashme me ato të sidromës Kavasaki. Analizat e gjakut treguan se kishte qenë i prekur nga koronavirusi disa javë më herët, pa shfaqur simptomat e sëmundjes”, u shpreh Fabrice Michel, mjek.

Një total prej 125 fëmijët në Francë, me moshë mesatare 8 vjeç, thuhet të kenë shfaqur simptoma të sëmundjes që prek funksionin e zemrës. Rastet mbeten të rralla, e shumica e fëmijëve kanë simtoma të buta, sqarojnë mjekët francezë, të cilët theksojnë gjithashtu se nuk bëhet fjalë për sëmundje ngjitëse.

Gjithashtu ekspertët e shëndetësisë në Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe dhe Itali kanë ngritur shqetësimet se Covid-19 mund të jetë më i rrezikshëm nga çfarë mendohej për fëmijët. Britania e Madhe raporton mbi 200 raste me sindromën e rrallë, e një 12-vjeçar në Londër humbi jetën në muajin prill.