Vdes 21-vjeçarja në Qendrën e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shtime, dyshohet se u ngufat

Policia e Kosovës njoftoi se të hënën mbrëma ka vdekur një 21-vjeçare, paciente në Qendrën për trajtim të fëmijëve me aftësi të kufizuara në Shtime, pasi dyshohet se është ngufatur gjatë ngrënies së ushqimit.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i tha KOHËS se vajza me inicialet D.S., është dërguar fillimisht për ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime, e më pas në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ku është konfirmuar vdekja e saj.

“Me datën 15.05.2023 rreth orës 19:30 , policia e stacionit në Shtime ka pranuar një informacion se një person D.S ( F/K) e moshës 21 vjeçare paciente nga ‘Shtëpia e fëmijëve’ në Shtime, për ndihmë mjekësore fillimisht është dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtime dhe më pas me autoambulancë është dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj , ku nga mjekët është konfirmuar vdekja e saj. Dyshohet se është ngulfatur gjatë ngrënies së ushqimit”, thuhet në njoftimin e Veselit.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe krimteknikët ku nën autorizimin e prokurorit i kanë filluar hetimet.

“Me vendim të prokurorit kujdestar trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti është cilësuar ‘hetim mbi vdekjen’”, thuhet në njoftim.