Vdekshmëri e lartë nga ndotja e ajrit

ilustrim

Ndotja e ajrit si zakonisht rikthehet gjatë periudhës së dimrit në Tetovë dhe jo vetëm. Kjo ndikon keq në shëndetin e qytetarëve të këtij rajoni. Zakonisht, ata që janë më pak imun ndaj ndotjes – janë personat e moshuar, të sëmurët kronik, por edhe personat tjerë të moshave më të reja – gjegjësisht fëmijët. Mjekët specialistë theksojnë se kësaj situate nëse i shtohet edhe sezoni i gripit bashkë edhe virusin korona, atëherë gjendja paraqitet më alarmante.
Mjeku Ratko Davidosvki, thekson se në këtë periudhë kur është prezent edhe virusi Kovid 19, shëndeti i qytetarëve dukshëm është më i rrezikuar.

“Me fillimin e sezonit të ngrohjes fillon edhe përkeqësimi i gjendjes së ajrit në Tetovë, sidomos kemi rritje të thërrmijave Pm 10 dhe Pm 2.5. Më të rrezikuar sigurisht se janë fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronik. Më herët, më të prekur ishin vetëm ata që kishin sëmundje kronike, pra ata të sëmurë me astmë nga ndotja e ajrit, por studimet e fundit tregojnë se nuk ka organ që nuk preket nga kjo ndotje. Shumë e keqe është kjo periudhë, sepse veprojnë dy viruse, ai i gripit sezonal dhe Kovid 19. Prandaj edhe grimcat Pm 10 dhe Pm 2.5 ndikojnë keq tek organet e frymëmarrjes dhe ndikimi në këtë rast i virusit Kovid është më i madh”, deklaroi mjeku specialist Ratko Davidovski.

Krahas studimeve që janë bërë të në kaluarën, ku Tetova është në krye të listës së vdekshmërisë për shkak të ndotjes së ajrit, respektivisht kancerit, edhe studimet e reja që janë duke u bërë dhe pritet të publikohen tregojnë se Tetova vazhdon të jetë në vend të parë për nga numri i vdekshmërisë nga kanceri.
Davidovski nënvizon se pasojat e ndotjes enorme që kishte rajoni i Pollogut para pesë apo gjashtë vitesh do të kenë efekte afatgjate për shëndetin e popullatës së këtij rajoni.

“Tash është duke u përgatitur një studim i ri, por të presin rezultatet përfundimtare të studimit, por sipas informacioneve paraprake – gjendja me vdekshmërinë në Tetovë nga kanceri respektivisht nga ndotja nuk ka ndryshuar. Normalisht se efektet do të jenë afatgjate nga ndotja që kishim në atë periudhë”, theksoi mjeku Davidovski. Ai thotë më tej se po ashtu edhe ngrohja me lëndë djegëse ndotëse është e madhe, kurse komunikacioni po ashtu ndikon dukshëm në ndotjen e ajrit në Tetovë dhe rrethinë. Apelohet që qytetarët në këtë periudhë të kenë më shumë kujdes dhe të mos qëndrojnë shumë jashtë. (koha.mk)