Pas rreth një muaji mbyllur, plazhet e Floridas në SHBA janë hapur. Guvernatori Ron DeSantis e ka mbrojtur vendimin për të hapur plazhet si dhe ka bërë me dije se në javën në vijim do të lejohet të vizitohen edhe parqet.
Bilanci i të prekurve nga koronavirusi në Florida është 34.728 raste dhe 1.314 viktima.
Por në plazhet e sapo hapura ka nisur të qarkullojë “vdekja”. Me veshjen e zezë dhe një kosë në dorë, figura që simbolizon vdekjen, është bërë objekt fotosh dhe videosh në rrjetet sociale por edhe është intervistuar nga mediat.
Kjo është në fakt protesta e avokatit amerikan Daniel Uhlfelder, i cili ka pasur si qëllim të përçojë mesazhin se virusi është ende i pranishëm, prandaj njerëzit duhet të qëndrojnë në shtëpi.
Sipas Uhlfelder, lejimi i banorëve të frekuentojnë plazhet në pikun e një pandemie është një gabim i rëndë.
Paralajmërimi nëpërmjet maskimit të tij, kërkon të lëshojë një mesazh për qeverinë amerikane. Avokati bëri një thirrje alarmi për të gjithë ata që ndodhet në Florida dhe i ftoi të mos shkojnë në plazh si dhe të evitojnë vendet e mbipopulluara, për të ndaluar përhapjen e pandemisë.