Në takimin e radhës në Korçë për llogaridhënien me qytetarët, kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij duke shprehur ngushëllime për familjarët e gardistit Shkëlzen Qordja, që u gjet dje i vdekur në garazhin e Gardës.
Gjatë fjalës së tij Rama i ka përcjellë një mesazh familjarëve, për të cilët tha se nuk arritën të gjejnë qetësi nga politika dhe opozita as në një tragjedi të tillë.
“Ngushëllime të ndjera për gardistin. Dua të ndaj me familjen të gjithë ndjenjën e keqardhjes për faktin se përtej tragjedisë dhe dhimbjes së një familjeje për djalin, ata nuk mundën të gjejnë qetësinë për të lotuar brenda mureve të shtëpisë, sepse u gjendën nën rrebeshin e zi të sulmeve politike.
Pa dashur fare t’ja dinë për respekt, për të vërtetën jo e jo, por as për një familje të thjesht. Versioni brutal ndaj djalit që u nda nga jeta, përfshirja e tij në skenarë fantazie makabër për të goditur ministrin e Brendshëm dhe qeverinë nuk ka fjalë. Është i neveritshëm, i turpshëm”, u shpreh Rama.