Vazhdon të rritet tregtia online në Maqedoninë e Veriut

Tendenca rritëse si në vlerë ashtu edhe në numrin e e-transaksioneve vazhdon të rritet. Qytetarët e Maqedonisë kanë shpenzuar pothuajse 195 milionë euro në gjashtë muajt e parë të këtij viti në dyqanet vendore online, që paraqet 70% të vlerës së përgjithshme të transaksioneve online, njoftojnë nga Asociacioni për E-tregti të Maqedonisë (AEM).

Edhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2022, qytetarët e Maqedonisë blejnë më së shumti nga e-dyqanet vendase, por ritmi i rritjes krahasuar me dy vitet e fundit është më pak intensiv.

Pas rritjes së arritur prej 169% në gjysmën e parë të vitit 2020 dhe 83% në vitin 2021, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2022 qytetarët tanë me karta vendore në e-dyqanet vendore shpenzuan pothuajse 195 milionë euro online, që paraqet një rritje prej 22% në në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë (sipas të dhënave të rishikuara për vitin 2021 të BP nga marsi dhe qershori 2022).

“Nuk është dekurajuese që rritja është dukshëm më e ulët krahasuar me dy vitet e mëparshme, po të kemi parasysh se është nga një bazë dukshëm më e lartë që është rezultat i pandemisë dhe masave kufizuese. Është pozitive që vlera me kartat vendase për e-tregtarët vendas vazhdon të dominojë strukturën me 70%”, tha Nina Angellovska.