Vazhdon të bie numri i rasteve të reja me Kovid-19, në Kosovë rritet numri i të shëruarve

Në Kosovë dje janë konfirmuar shtatë raste të reja të të sëmurëve me Kovid-19, me çka vazhdoi trendi disaditësh i rënies së numrit të personave te të cilët, pas testeve të kryera, është zbuluar prania e koronavirusit.

Siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina, duke i përfshirë edhe rastet e djeshme, prej të cilave pesë janë nga Prizreni, një nga Vitia dhe një nga Mitrovica, nga paraqitja e epidemisë në Kosovë janë evidentuar gjithsej 806 persona te të cilët është konfirmuar prania e virusit. Personi nga Mitrovica i cili dje ka rezultuar pozitiv ndaj virusit është rasti i parë në atë komunë.

Në kumtesën e mbrëmshme të Institutit për shëndet publik në Kosovë citohet se të enjten në vend janë konfirmuar 22 raste të reja të personave të cilët, pas testeve njëra pas tjetrës, sipas metodave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rezultuan të shëruar nga Kovid-19, me çka numri i atyre të cilët e mposhtën sëmundjen u rrit në 271.

Në laboratorinë për mikrobiologji molekulare të ISHPK-së dje janë marrë mostrat e 243 personave për të cilët ka ekzistuar dyshimi se mund të kenë koronavirus, me çka numri i tërësishëm i deritanishëm i testeve arriti 7.423.

Ditën e tretë me rradhë në Kosovë nuk është evidentuar asnjë viktimë nga Kovid-19, ashtu që numri i tërësishëm i të vdekurve nga infektimi edhe më tutje është 22.

Ministri kosovar i Shëndetësisë Arben Vitia dje paralajmëroi se nga e hëna, 4 Maj, do të fillojë zbutja graduale e masave rrigoroze të caktuara të cilat ishin vendosur për shkak të epidemisë.