Anija e madhe luftarake amerikane, “USS Hershel Woody Williams”, ka mbërritur në ishullin grek të Kretës ndërsa tensionet përshkallëzohen mes aleatëve të NATO-s, Greqisë dhe Turqisë mbi të drejtat e shfrytëzimit të burimeve energjetike në Mesdheun lindor.
Prania e luftanijes amerikane pason përplasjen e një anijeje ushtarake turke e cila mbronte një anije eksplorimi që Ankaraja e dërgoi në rajon për të bërë kërkime për naftë dhe gaz, me një luftanije greke, duke shkallëzuar krizën detare mes dy vendeve.
Arritja e luftanijes amerikane gjithashtu pason dislokimin e forcave ushtarake të Francsë në rajon, duke i ofruar ndihmë ushtarake Greqisë gjatë krizës, një angazhim aktiv që Flota e 6-të e Marinës amerikane thotë se është duke e shmangur për momentin.
“Ne nuk po marrim pjesë në këtë përballje dhe “USS Hershel Woody Williams” nuk është dërguar për të ndërhyrë”, i tha Zërit të Amerikës Kyle Raines, atashe për shtypin i Flotës së Gjashtë të Shteteve të Bashkuara.
Ai tha se dërgimi i luftanijes në Gjirin e Sudas në Kretë ishte “i planifikuar”. Megjithatë, nëse situata mes dy aleatëve të NATO-së përkeqësohet dhe zyrtarët në Uashington vendosin të veprojnë, anija mund të ndërhyjë për të zgjidhur mosmarrëveshjet.
“USS Hershel Woody Williams është shumë elastike dhe mund të përdoret në një gamë të gjerë operacionesh ushtarake në mbështetje të detyrave kombëtare,” tha zëdhënësi Raines.
Ekspertët e përshkruajnë luftanijen “USS Hershel Woody Williams” si një bazë ushtarake lundruese, e dyta e një brezi të ri anijesh të mëdha që Marina amerikane tani po i përdor si qendra transporti dhe mbështetjeje të shpejtë për operacionet ushtarake.
Anija me gjatësi 230 metra, ishte më herët në Napoli, për një ndalesë logjistike rutinë para se të lundronte drejt Kretës.
Që nga incidenti detar i 12 gushtit, Presidenti turk Recep Tajip Erdogan ka kërcënuar të përdorë forcën kundër çdo përpjekjeje greke për të bllokuar anijen eksploruese turke, “Oruc Reis” dhe pesë luftanijet e tjera që e shoqërojnë atë.
“Nëse kjo vazhdon,” paralajmëroi ai ditët e fundit, “ne do të hakmerremi. Ne nuk do të braktisim asnjë anëtar të farefisit tonë, gjallë a vdekur.”
Qeveria Greke e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka bërë përpjekje javët e fundit për të bindur partnerët e saj të Bashkimit Evropian që të ndërmarrë sanksione ndaj Turqisë. Ajo gjithashtu i është ankuar NATO-s për mbajtjen e distancës së barabartë ndaj antagonistëve rajonalë.
Rritja e numrit të luftanijeve në Mesdheun lindor, përfshirë edhe ardhjen e një luftanijeje ruse, ka shqetësuar ekspertët në Greqi.
Disa anije luftarake greke dhe turke janë dislokuar në rajon që kur Presidenti Recep Tajip Erdogan urdhëroi dërgimin e një anijeje kërkimore në Mesdheun lindor për të studiuar burimet e gazit dhe naftës.