Vazhdon rritja e çmimit të bukës

Çmimi i bukës është dyfishuar në krahasim me vitin e kaluar, dhe paralajmërimet se pritet rritje edhe për 10% kanë shqetësuar qytetarët. Ata thonë se nëse mund të heqin dorë nga diçka e vështirë, sigurisht që do jetë buka, pa të cilën nuk mund të imagjinohen tryezat.

“Nuk e di nëse mund të pritet nga buka. Dallimi në çmim është i dukshëm dhe mendoj se është i shtrenjtë. Tani nuk e di sa llogaritet realisht lënda e parë por sipas standardit dhe të ardhurave mendoj se është e shtrenjtë”,tha N.I qytetare.

Sipas statistikave shtetërore, çmimi i bukës dhe i drithërave është rritur me 47.7%, nëse krahasohen çmimet nga shtatori i këtij viti me shtatorin e vitit të kaluar. Por përshtypja është se në tregje është edhe më i lartë. Një bukë e bardhë më e lirë, me peshë nga 400 deri në 500 gramë, nëpër marketet e mëdha shitet nga 50 denarë. Vitin e kaluar e njëjta bukë shitej dy herë më lirë. Nëse bukës i janë shtuar disa fara ose pak miell integral, atëherë çmimi është dukshëm më i lartë, nga 65 deri në 100 denarë.

Disa bukë kanë edhe “çmime përrallore”, si buka makrobiotike e cila në një furrë buke në qendër të Shkupit kushton 140 denarë. Bukën e bardhë më lirë e shesin në një furrë në Çento të Shkupit, 35 denarë për një bukë 400 gramëshe, por siç thonë vendasit, ajo bukë po konsumohet më shpejtë. Rritja enorme e çmimit të bukës, u justifikua me rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe rritjen e çmimit të grurit. Ndikim të drejtpërdrejtë për këtë kishte edhe pushtimi rus në Ukrainë. Çmimi i bukës në vend filloi të rritet që në muajin prill, gjë që bashkë me frikën e mungesës së saj bëri që qeveria të shpallte investime në prodhimet vendore.

Nga Grupi i Mullisëve- Industria e furrave të bukës sqarojnë se energjia elektrike ka peshën më të madhe në çmimin e bukës sidomos pas muajit korrik. Sipas kryetarit të grupit Goran Malishiq, problem kryesor është se gjysma e kësaj industrie furnizohet me energji elektrike me çmimin e bursës, gjë që sipas tij më së shumti ndikon në rritjen e çmimit të bukës. Paralelisht me këtë ai vë në dukje se çmimi i grurit dhe i miellit u rrit deri në 10% në bursat botërore dhe rajonale dhe këtë vit industria e mullirit bleu më së paku grurë vendas.

“Siç e dini, ne si një vend i varur nga importi, i cili nuk ka grurë dhe miell mjaftueshëm, ne importojmë, kështu që ato rritje derdhen në lëndën e parë për prodhim. Këto janë arsyet kryesore të rritjes së çmimit që kemi paralajmëruar më shumë se një muaj më parë”, potencoi Malishiq. Kështu për të mos u shtrenjtuar buka akoma më shumë, ata i kërkojnë qeverisë energji elektrike më të lirë.

“Qeveria ka ndërmarrë hapa, ka mbajtur mbledhje, tani janë konsultimet, për momentin presim që të merret vendim që industria jonë si dhe industritë e tjera të konsumit të hyjnë në një treg të rregulluar me çmim më të lirë të energjisë elektrike, për të ruajtur çmimin normal ose për ta ulur atë, pasi do të ishte mirë si për industrinë ashtu edhe për qytetarët”, thotë Malishiq. Parashikimet e grupit janë se nëse nuk ndërmerren masa atëherë buka do të shtrenjtohet gjatë ditëve të ardhshme.

Ndihmën e shtetit e kërkojnë edhe fermerët të cilët thonë se nëse nuk ju ndihmon shteti vitin e ardhshëm do të prodhojnë më pak grurë se gjatë këtij viti. Ndërkaq, qeveria ka paralajmëruar ndryshimin e pagesës së subvencioneve për fermerët. Propozimi i qeverisë parashikon subvencionimin bazë për fermerët që kultivojnë tokën bujqësore me kulturë njëvjeçare, por edhe një shtesë që do të lidhet me rendimentin e arritur dhe transferimin në objektet e regjistruara shtëpiake. Kjo mënyrë e subvencionimit tashmë është futur si pilot-projekt gjatë vitit të kaluar në lulediell, grurë, elb dhe kultura të tjera strategjike, që sipas kryeministrit Kovaçevski ka dhënë rezultate pozitive.

Në nivel njoftimesh për momentin është ndihma për energji elektrike më lirë për kompanitë e industrisë ushqimore. Kryeministri Kovaçevski paralajmëroi zgjidhje pasi Komisioni Rregullator i Energjisë ka finalizuar llogaritjet.

“Këtë propozim e kemi diskutuar me dhomat e tregtisë, kompanitë e industrisë ushqimore dhe industritë që kanë prodhim të destinuar për konsum të gjerë të qytetarëve, për të ulur presionin e çmimeve”, deklaroi Kovaçevski. (koha.mk