Mbrëmja e djeshme shënoi kulmin e përplasjes disa ditore në bjeshkën mbi fshatin Siniçan të Tetovës, ku banorët e këtij fshati, me vetiniciativë, tentojnë të lidhen me burimin e fshatit Urviç për ujë të pijshëm. Policia, e cila është e pranishme në vendngjarje, dje u bë objekt i përplasjes me kreun e Komunës së Bogovinës, Albon Xhemaili i cili tentonte të kapërcente policinë për t’i mundësuar punonjësve të komunës, të ndiznin ekskavatorin për punimet.
“Ja, e shihni vetë reagimin e policisë, presim urdhër prej prokurorit po gati tre javë e presim dhe nuk jemi duke e marrë. Zotërinjtë që janë këtu, unë mendoj se i tejkalojnë gjitha kompetencat e veta sepse nuk ka një urdhër nga prokuroria për t’i ndalur punimet”.
Rreth orëve të mbrëmjes, në vendin e ngjarjes arriti edhe prokurorja publike Lejla Kadriu e cila urdhëroi gojarisht policinë që të tërhiqet dhe të mundësohet zhvillimi i punimeve.
Largohuni të gjithë, keni urdhër nga prokurori publik. Njoftojeni kë duhet të njoftoni, ju largohuni le të vazhdojë populli të punojë, është Kovid 19, nuk kanë ujë për higjienë personale. Shkaku i urgjencës së procedurës ata patjetër të vazhdojnë me punimet – deklaroi Lejla Kadriu, Prokuror Publik.
Por policia nuk u lëkund nga ky urdhër, duke mbajtur ende pozicionin e saj kordon, duke penguar mbërritjen e banorëve te ekskavatori i komunës.
Megjithatë kreu i komunës së Bogovinës Albon Xhemaili, bëri edhe tentime të tjera për të hapur rrugën punimeve por nuk pati sukses.
Do rrimë këtu ditë e natë, nëse ka nevojë edhe këtu do flemë derisa të marrim një përgjigje nga organet kompetente – deklaroi Albon Xhemaili, Kryetar i Komunës së Bogovinës.
Banorët e fshatit Siniçan në shenjë proteste qëndruan mbrëmë gjatë gjithë natës te pika ku zhvillohen punimet, ndërsa dita e re erdhi sërish me protesta./Bashkim Sulejmani