Vazhdon përdorimi i armëve neper dasma

Pavarësisht numrit të lartë të plagosjeve nga përdorimi i armëve të zjarrit gjatë ahengjeve familjare, ky fenomen vazhdon të përsëritet edhe më tej. Vetëm ditët e fundit, 4 persona janë plagosur edhe atë dy në Reçicë të Tetovës, një në Xhepçisht dhe një në Gostivar.

“Gjuajtja me armë zjarri në ahengje familjare mund të trajtohet edhe me padi penale, pra si vepër penale, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe sipas Nenit 286 të Kodit Penal për këtë vepër është e paraparë dënim me burg nga një deri në pesë vjet”- deklaroi Marjan Josifoski. Zëdhënës i SPB Tetovë.

Banorët thonë se gati çdo natë dëgjohen gjuajtje me armë zjarri sidomos nëpër fshatra.
“Është bërë si traditë në popullin tonë,. Pa gjuajt ju duket se s`kanë bë asgjë. Për çdo festë gjuajnë, ditëlindje, fejesë martesë”.
“Këto gjëra nuk duhet të ndodhin, duhet të jetë e kujdesshme popullata. Duhet të zhduket kjo dukuri. Nuk duhet të merret popullata me gjuajtje duhet të jenë të kujdesshëm”.
Por përse ndodh ky fenomen nëpër dasmat e popujve të Ballkanit. Sociologja Ardita Abduli, thotë se kjo është e bartur nga kohët e shkuara, por se duhet larguar nga tradita.

“Jemi dëshmitarë që këto krisma që shpesh kanë qenë me pushkë apo me armë zjarri në përgjithësi janë shndërruar edhe në tragjedi. Po gjuhet nga amator të pavetëdijshëm dhe plumbi përfundon në njerëz që janë dhe kështu dasma shndërrohet në tragjedi humbin jetë njerëzish dhe miqtë rikthehen në armiq dhe nga kjo lind edhe fenomeni i gjakmarrjes, po tani në kohët moderne nuk duhet të jetë prezent si fenomen sepse vetëdija ndërqytetore është rritur dhe arma nuk është lojë”- tha Ardita Abduli, Sociologe
Përndryshe, në tre vitet e fundit, ende nuk ka asnjë dënim të shqiptuar për përdorimin e armëve nëpër dasma, me theks të veçantë, edhe në ato raste ku ka pasur edhe të plagosur apo të lënduar nga armët apo fishekzjarrët.