Vazhdon konfrontimi për regjistrimin e popullsisë

Rezultatet e Regjistrimit të popullsisë 2021 janë të vlefshme dhe ofrojnë bazën më reale për planifikimin e zhvillimit të ardhshëm. Kështu ka deklaruar drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostol Simovski. Gjatë një takimi me zëvendëskryeministren përgjegjëse për politikat e qeverisjes së mirë, Sllavica Gërkovska, ata kanë biseduar për regjistrimin e popullsisë në shtator të vitit të kaluar, rëndësinë e të dhënave që kanë dalë nga ky operacion statistikor në krijimin e politikave të mira dhe të qëndrueshme për popullatën.

Zëvendëskryeministrja Gërkovska theksoi se rezultatet e Regjistrimit janë pikënisja kryesore nga e cila fillon Qeveria për hartimin e strategjive kombëtare. Ndërsa Simovski theksoi se Regjistrimi, si operacion statistikor, ofron pasqyrë të gjendjes në terren, jep të dhëna relevante në bazë të të cilave përcaktohen politikat e mëtutjeshme me të cilat do të arrihet zhvillim i balancuar rajonal.

Takimi mes Gërkovkës dhe Simovskit bëhet në kohën kur debati për Regjistrimin është rihapur pas reagimeve të këtyre ditëve lidhur me mënyrën sesi Qeveria do të llogarisë përqindjen e punësimit në sektorin publik. Nga muaji janar i vitit të ardhshëm, Qeveria duhet të zbatojë të dhënat e marra nga regjistrimi i fundit i popullsisë, mbi të njëjtën bazë siç është bërë edhe me të dhënat e regjistrimit të vitit 2002.

Nga opozita kanë reaguar duke kërkuar heqjen e Balancuesit, në bazë të të cilit do të ndryshohet edhe përqindja e të punësuarve shqiptarë nëpër institucione dhe të zëvendësohet me një strategji dhe kritere të reja punësimi. Sipas VMRO-DPMNE përvoja ka treguar se sistemi aktual, përveçse krijon cilësi të dobët, nuk është as i drejtë dhe i shërben disa njerëzve të fuqishëm politik, ndërsa Maqedonisë i duhet një administratë që do t’u shërbejë qytetarëve me cilësi dhe jo administratorë që do t’u shërbejë pushtetarëve politikë.

Nga ana tjetër, pak ditë në parë – në selinë e EUROSTAT në Bruksel u zhvillua një takim skriningu me një delegacion nga Maqedonia ku ndër të tjera u theksua se të dhënat statistikore do të jenë pjesë e rëndësishme e procesit të negociatave sepse do të duhet të tregojmë se si zbatohet legjislacioni i harmonizuar në praktik.

“Regjistrimi i kryer me sukses, sipas metodologjisë dhe standardeve të Eurostat-it, pas dy dekadash, është një konfirmim i zbatimit të legjislacionit përkatës statistikor në legjislacionin tonë kombëtar, duke punuar së bashku me Komisionin dhe Eurostatin”, deklaroi zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq. Sipas tij një avantazh tjetër është fakti që pas më shumë se 25 vitesh u transpozua legjislacionin përkatës statistikor në legjislacionin kombëtar, duke punuar së bashku me Komisionin dhe EUROSTAT. (koha.mk)