Vazhdojnë edhe sot përplasjet brenda partiake të VMRO-DPMNE-së, nëse Hristijan Mickoski duhet të mbetet udhëheqës i kësaj partie. Sot kryetari i komunës së Ilindenit, Zhika Stojanoski, nëpërmjet një kumtese, tha se VMRO-DPMNE ka kapacitet që të udhëheqë me institucione, por duhet bërë ndryshime në parti, sepse siç nënvizohet, partia tanimë ka humbur tre procese zgjedhore me radhë.
“Komuna e Ilindenit është shembull se si VMRO-DPMNE di dhe ka kapacitet që t’i udhëheqë institucionet dhe të punojë për të mirën e qytetarëve. Që të fitojmë atë mundësi, së pari duhet të tregojmë qytetarëve se jemi strukturë serioze që udhëheqë politika konsistente në të mirë të qytetarëve. Prandaj, është koha për një kongres të jashtëzakonshëm në të cilin ne do të zgjedhim një udhëheqje të re që do ta kthejë VMRO-DPMNE në rrugën fitimtare”, tha Zhika Stojanoski, Kryetar i Komunës së Ilindenit.
Por Komiteti Komunal Ilinden i VMRO-DPMNE nëpërmjet Facebook-ut shkroi se distancohen plotësisht nga veprimet e Stojanovskit, duke vlerësuar se të njëjtat janë për interesa personale dhe kundër politikave të partisë dhe komitetit.
Ndërsa nga selia e VMRO-DPMNE-së thonë se fokusi i tyre është lufta kundër Qeverisë aktuale.
“E kemi thënë qëndrimin tonë mbrëmë nuk kemi çfarë të shtojmë. Prioriteti ynë është luftë kundër udhëheqjes katastrofale të Zaevit që është vjedhje e popullit dhe shtetit, gjithçka tjetër është ndihmë për Zoran Zaev”, u shpreh Beti Stamenkoska-Trajkoska, deputete e VMRO-DPMNE-së.
Kryetari i Komunës së Ilindenit, Zhika Stojanoski ishte njëri nga funksionarët e VMRO-DPMNE-së që morën pjesë dje në një konferencë për media para selisë së partisë, nga e cila u kërkua dorëheqja e Hristijan Mickoskit dhe thirrja e një kongresi të jashtëzakonshëm për të zgjedhur një kryetar të ri. Ata thonë se Mickoski duhet të përmbushë premtimin e tij, dhe të japë dorëheqje për shkak se i humbi zgjedhjet. Ndërkohë që edhe sot LSDM përsëri kërkoi dorëheqjen e Hristijan Mickoskit duke shtuar se Mickoski është i papërgjegjshëm dhe i papjekur politikisht.