Vazhdojnë përplasjet për numrin e nënkryetarëve në Kuvendin e Maqedonisë

LSDM-ja do të heqë dorë nga përfaqësuesi i saj në funksionin e nënkryetarit të Kuvendit nëse këtë e bën e para OBRM-PDUKM-ja. Këtë e deklaroi kreu i partisë Zoran Zaev, si kundërpërgjigje pasi vlerëson se opozita manipulon kur shpalos shqetësimin e saj për numrin e lartë të nënkryetarëve.
“Ne jemi shtet multietnik, duam të kemi përfaqësimin e të gjithëve. Gjithsej u vërtetuan pesë nënkryetarë të Kuvendit por ata pozita nuk është patjetër të mbushen deri në fund. Ja po e dërgoj mesazhin, le të heqë dorë OBRM-PDUKM-ja nga përfaqësuesi i saj si nënkryetarë, do të heqë dorë edhe LSDM-ja nga përfaqësuesi i saj dhe do të kemi tre.”-tha Zoran Zaev, mandatar për kryeministër.

Ish deputeti i OBRM-PDUKM-së Ilija Dimovski i bëri thirrje partisë së tij të mos kandidojë nënkryetar të Kuvendit.
“Nëse jemi parti serioze e cila ka për qëllim të qëndrojë në parimet dhe kritikat e saj, VMRO-DPMNE, në shenjë të pranimit të kritikave të opinionit për numrin e panevojshëm të nënkryetarëve, vetë duhet të heqë dorë nga funksioni që i takon dhe t’i ftojë të gjithë partitë të cilat kanë bërë pazarë për këto funksione, ta bëjnë të njëjtën”-tha Ilija Dimovski, OBRM-PDUKM.

Partia e Mickoskit nuk e pranon propozimin e Zaevit, por akoma nuk ka vendosur nëse do të kandidojë nënkryetar.
“Këtë dhe të gjithë propozimet tjera të Zoran Zaevit që nënkuptojnë tregti me partnerët e tij të pakënaqur të koalicionit, as tani dhe as në të ardhmen nuk do të pranohen nga ana e OBRM-PDUKM-së”-pohoi Dafina Stojanovska, OBRM-PDUKM.

Në përbërjen e kaluar ishte po ashtu në fuqi vendimi për pesë nënkryetarë të Kuvendit por këtë funksion e ushtruan vetëm katër, Goran Misovski, Frosina Remenski, Zekir Ramqilloviq dhe Vesel Memeti. Një nga funksionet nënkryetar i Kuvendit i takon partisë më të madhe opozitare. Për të zëvendësuar Xhaferin në seanca plenare nuk është ulur kurrë asnjë nënkryetar tjetër përveç Misovskit. Edhe në paraqitjet publike, kryeparlamentari Xhaferi është zëvendësuar vetëm nga Misovski. Nënkryetarët paguhen nga 75 deri 80 mijë denarë në muaj, 15 deri 20 mijë denarë më shumë se sa deputetët. Atyre duhet t’u sigurohet kabinet dhe nëpunës të kabinetit gjë që nënkupton shpenzime shtesë nga buxheti i Kuvendit.

https://www.youtube.com/watch?v=A5u3qxcqA3k&feature=emb_title