Vazhdojnë paknaqësitë brenda “Besës”, Useini me reagim për mos përfshirjen e të rinjve në Ekzekutiv

Kryetari i Forumit Rinorë nga Lëvizja Besa, Liridon Useini i cili javë më parë në një prononcim ekskluziv, reagoi kundër mos përfshirjes së të rinjve në ekzekutiv, ka reaguar përsëri por kësaj here nëpërmes rrjetit social, “Facebook”.
Useini ka thënë se të rinjtë e këtij subjekti, kanë pritur një qeverisje ndryshe, një qeverisje ku të rinjtë do të jenë aty ku duhet të jenë si shpresa e vetme në këtë vend.
Thotë se nuk do të lejojë që të rinjtë të nënvlerësohen e të keqpërdoren duke i trajtuar si shërbëtor të udhëheqësve joprofesional që ju i keni caktuar, Useini shton se janë për meritokraci dhe profesionalizëm andaj edhe thotë se këtë do ta kërkojmë deri sa ta gjejmë. Useini, postimin e tij, e ka përmbyllur me një thënije të kreut të kësaj partie.

Postimi i plotë:
Mosvlerësim apo keqpërdorim i të rinjëve!
Të dashur qytetarë,
Po bëhen disa muaj me qeverisjen e re, ku Lëvizja BESA është pjesë e saj, të gjithë së bashku kemi pritur një qeverisje ndryshe, një qeverisje ku të rinjtë do të jenë aty ku duhet të jenë si shpresa e vetme në këtë vend. Se kush është FR i Besës tashmë të gjithë e njohin, strukturimi i saj shtrihet nga Likova e deri në Strugë, përfshirë shumicën e vendbanimeve shqiptare, dua të theksoj se 8.0% të anëtarëve i kemi me shkollë të mesme, 88.4% kanë të kryer studimet bachelore dhe 3.6% janë magjistra shkence, pra kemi 92% profesionistë të rinj ndërkaq 0.0% në pozicione udhëheqëse dhe 8% të sistemuar nëpër institucione të ndryshme si portir, fotograf dhe shofer në këtë qeverisje të re.

Fatkeqsisht, ky është realiteti, që dëshmon të kundërtën e fjalorit të lidershipit tonë, fjalor përmes të cilit erdhi në pushtet, ky është realiteti që të rinjtë nuk përfillen, ky është realiteti që punësimet partiake e joprofesionale vazhdojnë.
Unë në asnjë moment nuk do të lejoj që të rinjtë të nënvlersohen e të keqpërdoren duke i trajtuar si shërbetor të udhëheqësve joprofesional që ju i keni caktuar.
Ne jemi për meritokraci dhe profesionalizëm andaj këtë do ta kërkojmë deri sa ta gjejmë!
(Fjalia në fotografi e thënë nga vet Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, më datë 29.10.2019.)
I pari i të rinjëve e miku juaj,
Liridon Useini