E mori mandatin për formim të qeverisë, ndërsa ende është në bisedime për të arritur shumicën e nevojshme.
Tashmë disa ditë kreu i LSDM-së Zoran Zaev dhe ai i BDI-së Ali Ahmeti nuk po arrijnë dot një ujdi për bashkëqeverisje.
Ngecja përflitet të jetë kërkesa e BDI-së për Kryeministër shqiptar dhe koha kur i njëjti do të ishte në krye të ekzekutivit, por megjithatë dy liderët nuk tregojnë asnjë detaj.
Kreu socialdemokrat madje sot tha se po përgatitet për të qenë Kryeministër në 4 vitet e ardhshme, ndonëse e kupton që çështja e kolltukut kryeministror është ajo që kërkohet nga partneri i mundshëm i koalicionit.
“Po unë sot e marr mandatin dhe përgatitem të jem kryeministër i kësaj qeverie 4 vjet, mandat i plotë 4 vjeçar, por gjithsesi një prej temave të bisedimeve është edhe kjo, ky është realiteti dhe qytetarët e dinë. Bëhet fjalë për dy subjekte të mëdha politike, koalicioni Mundemi dhe BDI-ja dhe këtu gjithsesi bisedimet janë të hapura”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev nuk tregon as nëse është gati të pranojë kryeministër shqiptar në vitin e parë të qeverisë së re, sepse siç thotë, dëshiron që deri në fund t’i jap shans procesit të bisedimeve.
Edhe kreu integrist Ali Ahmeti me tone optimiste për bisedimet, për të cilat thotë se po vazhdojnë me përpjekjet për të gjetur gjuhë të përbashkët për interesat e përbashkëta për shtetin.
“Unë mund të ju them se gjërat nuk janë në drejtim të keq, një herë e kam deklaruar, po e them edhe një herë që gjërat janë shumë afër, po aq sa janë edhe larg. Uroj që tek palët të dominojë arsyeja, uroj që te palët në radhë të parë të vendoset interesi i shtetit, të vendosen proceset kaq të rëndësishme me të cilat po ndodhet vendi”, u shpreh kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.