Vazhdohet konkursi për regjistrues të popullsisë (VIDEO)

Përsëri është shtyrë konkursi publik për angazhim të regjistruesve dhe instruktorëve rajonal për regjistrimin e ardhshëm të popullsisë, amvisërive dhe banesave. Konkursi fillimisht është shpallur më 20 korrik dhe duhej të zgjaste deri më 5 gusht, por për shkak të pushimeve verore u vazhdua deri më 12 gusht. Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Apostoll Simovski, për gazetën “Veçer”, ka njoftuar se konkursi edhe një herë do të vazhdohet, për shkak se numri i të paraqiturve nuk është i kënaqshëm.

Apostoll Simovski, Drejtori i Entit Shtetëror të Statistikave
“Numri i regjistruesve të paraqitur nuk është i kënaqshëm, aplikacioni do të jetë i hapur. Shumica e regjistruesve mungojnë në komunat e Shkupit, në komunat me popullsi shqiptare – Gostivar, Tetovë, Kërçovë. Pak të paraqitur ka edhe në Ohër, Strumicë dhe Novo Sellë. Ne mendojmë se kjo është për shkak të pushimeve verore dhe faktit që njerëzit janë duke punuar gjatë gjithë ditës. Do të vazhdojmë me thirrjet në nivel lokal, vendosim reklama në ndërtesat e banimit dhe shpresojmë se do të arrijmë numrin e kërkuar”.

Enti Shtetëror i Statistikës u bën thirrje të gjithë të interesuarve që të paraqiten në aplikacionin elektronik të tyre. Regjistrimi i popullsisë, familjeve dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut pritet të mbahet nga 5 shtator deri më 30 shtator të vitit 2021.

Ndërkohë, vazhdon vetë-regjistrimi elektronik i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, të cilët punojnë përkohësisht ose banojnë jashtë vendit. Deri më tani, sipas të dhënave të publikuara, gjithsej 190.359 persona nga diaspora janë regjistruar përmes aplikacionit të vetregjistrimit. Vetregjistrimi i shtetasve të Maqedonisë së Veriut në diasporë do të zgjasë deri më 30 shtator, kur përfundon regjistrimi i popullatës, familjeve dhe banesave.