Vazhdim …


Prof. dr. Akademik Artan Fuga: A mendoni se martesat shqiptaro-serbe janë një fakt i izoluar i rastit apo kemi të bëjmë me një nevojë të brendshme të segmenteve sociale në të dyja shoqëritë respektive?

Dr. Olta Murataj: Nuk e shoh si një fakt të izoluar, por, mendoj se ka ardhur si nevojë e brendshme e aktorëve të të dy shoqërive respektive. Burrat serbë zgjedhin të qëndrojnë në fshat në tokat që zotëron familja e tyre, për t’u kujdesuar për tokën, bagëtinë dhe prindërit e moshuar. Gratë serbe kanë braktisur fshatrat për një jetë më të mirë drejt qyteteve, duke refuzuar martesën në zonat rurale. Me shumë pak gra të mbetura në fshatra duket tepër e vështirë që burrat të mund të gjejnë bashkëshorte për të formuar familje. Kërkesa e tyre për martesë ka çuar në krijimin e një “tregu martesor” midis këtyre dy vendeve. Po ashtu, edhe fshatrat në Shqipëri po shpopullohen me shpejtësi, por, janë kryesisht burrat që largohen jashtë vendit për të gjetur punë dhe gratë mbesin pas. Në këtë mënyrë bëhet e vështirë për gratë shqiptare, sidomos në zonat rurale, të gjejnë partner për martesë. Të dyja palët i gjenden njëri-tjetrit për të përmbushur mangësinë që përballen në shoqëritë e tyre.

Pse martohen vajzat shqiptare me burrat serbë dhe pse nuk ka një lëvizje drejt Maqedonisë, Kosovës apo Malit të Zi? Sa raste ke studiuar dhe pak a shumë ku janë të shpërndara gratë shqiptare në Sanxhak sipas komunave apo fshatrave?
Martesat mes kulturave të ndryshme kanë qenë shumë të rralla dhe shpesh të padëshiruara nga shoqëria, pasi vazhdimisht është preferuar martesa homogjene, martesa me “tjetrin”, që është i ngjashëm në kulturë, në nacionalitet, racë, besim apo në statusin socio-ekonomik.

Në Shqipëri, martesat mes grave dhe burrave shqiptarë me partnerë jashtë Shqipërisë, i ka fillesat pas rënies së sistemit komunist. Fillimisht, martesat e grave shqiptare me burrat grekë, italian e më vonë me burra me kombësi të ndryshme filluan të kthehen në fenomen normal. Në më shumë se dhjetë vitet e fundit burra nga Maqedonia, Mali i Zi, ashtu si dhe Shqiptarë të Kosovës filluan të martohen me gra shqiptare nga qytete të ndryshe të Shqipërisë. Përkatësisht, martesat e grave shqiptare me burrat serbë, unë i cilësoj martesa të orientuara nga individë të caktuar që kanë marrë përsipër rolin e shkuesit (mblesit) tradicional dhe nga agjencitë martesore. Pra, nuk është një kërkesë personale e palëve, por është “treg martesor” i iniciuar nga aktorë të jashtëm.
Bazuar nga rrëfimet e pjesëmarrësve burra dhe gra, kam arritur të veçoj arsyet thelbësore që kanë shtyrë palët të kalojnë kufirin në kërkim të partnerit të jetës.

Këto arsye janë të renditura sipas frekuencës së përsëritjes nga çdo pjesëmarrës. Sipas burrave serbë janë: (1) mungesa e vajzave në vendin ku jetojnë, (2)Bazuar nga rrëfimet e pjesëmarrësve burra dhe gra, kam arritur të veçoj arsyet thelbësore që kanë shtyrë palët të kalojnë kufirin në kërkim të partnerit të jetës. Këto arsye janë të renditura sipas frekuencës së përsëritjes nga çdo pjesëmarrës. Sipas burrave serbë janë: (1) mungesa e vajzave në vendin ku jetojnë, (2) refuzimi i grave serbe të martohen dhe të jetojnë në fshat, (3) “e dëgjuar nga të tjerë” se gratë shqiptare janë gra të lidhura me shtëpinë, që krijojnë familje, bëjnë mbi dy fëmijë, kujdesen për bashkëshortin dhe familjen e tij, pranojnë të jetojnë në fshat, bëjnë punët brenda dhe jashtë shtëpisë, nuk kanë shumë pretendime dhe nuk shpenzojnë shumë para, (4) mosha e tyre për t’u martuar, (5) nevoja për të krijuar familje, (6) dëshira për të pasur fëmijë dhe, (7) frika e të plakurit vetëm. Brenda hapësirës që na lejohet, po shkëpus disa zëra nga pjesëmarrës burra dhe gra lidhur me motivet që i kanë shtyrë drejt kësaj martese:

Vëllai im u martua me një vajzë shqiptare. Më pëlqente se ishte shumë e lidhur me punët e shtëpisë dhe kujdesej për nënën tonë, ishte e respektueshme me vëllain tim dhe me ne të tjerët. Duke e parë atë, mendova të gjeja dhe unë një nuse në Shqipëri për veten time (Pjesëmarrës, burrë 5).

Në fshatin ku jetoj, unë isha i dyti që bëra këtë martesë, kështu që nuk kisha dëgjuar shumë, ishte një rastësi që doli mirë. Fakti që do të gjeja dikë që do jetonte me mua në fshat, më bëri të shkoj në Shqipëri. A do jetë zgjedhje e mirë ose e keqe, nuk mund ta dish pa e provuar. Sot jam i kënaqur që kam vepruar kështu (Pjesëmarrës, burrë 6).Arsyja kryesore ka qenë që unë të bëj familje, mos të mbetem vetëm, se nanën e babën sot i ke e nesër nuk i ke. Unë kam dashur me pas gru e fmi (Pjesëmarrës, burrë 7).

Ndërsa arsyet që shtyjnë vajzat shqiptare të pranojnë kërkesën për martesë: (1) mosha e martesës (në vendet rurale mosha është një faktor i rëndësishëm në martesën e vajzave; pas moshës 25 vjeçe kërkesat për martesë ulen shumë), (2) frika se mos mbesin në shtëpi “vajzën që nuk e mori askush” ose “lënesha” (3) mungesa e djemve shqiptarë (boshatisja e zonave rurale nga të rinjtë, sidomos nga djemtë), (4) martesa si detyrim social sepse “vajza duhet me e gjet shtëpinë e saj”, (5) jetesa në fshat pa perspektivë (martesa vjen si një mënyrë për t’u arratisur) (6) duke menduar se do jetojnë jashtë Shqipërisë krijojnë mendimin e një jete më të mirë, me kushte ekonomike më të larta, (7) kurioziteti për të parë një kulturën të re (8) shtysa që vjen nga familjarët dhe rrethi shoqëror.

Isha njëzet e nëntë vjeçe dhe gjaja ma e tmerrshem kur m’thoshin “ke met te shpia”. Kjo për vajzën asht gjaja ma e tmerrshme. Kur të thonë, “me kan e mirë s’kishe met n’shpi”. Ma mirë me kan e dek, kur je shnosh si molla, e shkatht e me t’than ai tjetri ki met n’shpi (Pjesëmarrëse, grua 8).

Ça të bajshe te vllai? Ça me ba? Me nejt në shërbim të kunats dhe vllaut, e fmive t’kunats me t’than “t’ishe kan a mire kishe shku te burri jot” – ma mire shko te puna jote sido të jetë (Pjesëmarrëse, grua 9).
Meshkujt shqiptarë kan ik e krejt po martohen me gra t’huja. N’fshat ku ishim na nuk ka pas mbet asnjë djal i ri, krejt ikën. Se shqiptart [djemtë shqiptarë] shkojnë e marrin gjithçka jasht shtetit dhe i lan shqiptaret që janë ari [floriri] (Pjesëmarrëse, grua 10).

Për shkak të paragjykimeve në lidhje me martesën e tyre, që individët pjesëmarrës në këtë studim kanë jetuar, ndjeshmëria e tyre individuale për të rrëfyer jetën martesore ishte shumë e lartë, sidomos te pjesëmarrëset gra shihej më shumë. Si studiuese, pjesa më e vështirë, ka qenë të fitoj besimin e tyre, me qëllim që të realizohet një bisedë (intervistë) sa më miqësore dhe e sinqertë që të mund të arrijmë të kuptojmë arsyen e vërtetë që i ka shtyrë këta individë drejt këtyre martesave. Ashtu siç thekson Patton (2001: 340-341) “Ne intervistojmë njerëzit për të zbuluar prej tyre ato gjëra që nuk mund t’i vëzhgojmë drejtpërdrejt…”. Në këtë studim janë realizuar intervista të thelluara me 42 gra dhe 31 burra, në total 73 individë, ndër ta 30 janë çifte (për arsye të ndryshme, nuk ka qenë e mundur që për çdo të intervistuar grua të jetë pjesë e studimit edhe bashkëshorti).

Rastet studimore janë kryer në Jugperëndim të Serbisë, rajon ky që në periudha të ndryshme historike është njohur me dy emërtime, Rashka dhe Sanxhak (Raska dhe Sandzak) – në gjashtë komuna Novi Pazar, Sjenica, Tutin, Priboj, Prijepolje dhe Nova Varosh, qytetet e të cilave mbajnë të njëjtët emra. Intervistat janë kryer në komunat më përqendrim më të madh të këtyre martesave si, në Sjenicë (në nëntë fshatra të kësaj komune), në Novi Pazar (në një fshat) dhe në Tutin (në tre fshatra), përveç dy intervistave që janë realizuar në qytetin e Jagodin-ës dhe Kraljevo. Gratë shqiptare të martuara atje, kryesisht janë nga Veriu i Shqipërisë, me përjashtim të disa rasteve nga Shqipëria e Mesme

Çfarë karakteristikash kanë familjet e formuara? Në çfarë ekonomie familjare punojnë ata? Cili është etniciteti i burrave, janë serbë apo turq? Cila është mosha e grave shqiptare dhe mosha e burrave serbë dhe sa është diferenca në moshë mes partnerëve? A kanë qenë më parë të martuara gratë shqiptare apo është martesa e tyre e parë?

Burrat pjesëmarrës në këtë studim kishin jetuar dhe vazhdonin të jetonin pranë familjes së tyre (me përjashtim të gjashtë rasteve që para se të martoheshin kishin jetuar disa vite larg shtëpisë, por në kohën e martesës kishin zgjedhur të kthehen në fshatrat e tyre). Jetesën e kishin të lidhur ngushtë me prodhimet bujqësore që merrnin nga toka, nga kafshët si dhe shitjen e tyre. Në ato zona rurale ku toka bujqësore ishte e paktë, banorët (si dhe pjesëmarrësit në këtë studim) sigurimin e jetesës nuk e kishin nga punimi i tokës dhe bagëtia, por nga puna e lëndëve drusore. Në disa familje, në këto zona, intervistat janë zhvilluar kryesisht vetëm me gratë, pasi burrat ishin në pyll dhe ktheheshin vonë në shtëpi. Në fshatrat afër komunës së Sjenicës ku kishte shumë fusha dhe livadhe, e po ashtu ndodhej dhe miniera e kromit, pjesëmarrësit në këtë studim mbanin shumë bagëti dhe krahas punës blegtorale punonin dhe në minierë. Pjesa më e madhe e burrave ishin të lidhur me tokën dhe bagëtinë, por në varësi të zonës ku jetonin, disa prej tyre, ishin të angazhuar dhe me punë të dyta si në minierë, komunë, polici, roje. Kurse gratë, përveç njërës, e cila punonte në fasoneri, të gjitha ishin të angazhuara me punët brenda shtëpisë dhe punët blegtorale jashtë shtëpisë (si mjelja e bagëtive, kujdesi për tokën).

Sa i përket etnicitetit, burrat pjesëmarrës kanë deklaruar se i përkisnin etnicitetit serb dhe se ishin të krishterë ortodoksë. Mosha mesatare e pjesëmarrësve në kohën kur kanë bërë martesën ishte për gratë 32 vjeçe, për burrat 47 vjeç. Diferenca në moshë mes këtyre çifteve është 15 vite, kurse mesatarja e jetës martesore nga koha e intervistave 8 vite. Nga të intervistuarit burra, asnjë prej tyre nuk ka qenë më parë i fejuar apo i martuar, ndërsa gratë njëra prej tyre më parë e fejuar dhe një tjetër e martuar, ndërsa të tjerat deklarojnë se nuk kanë pasur një fejesë apo martesë të mëparshme.

Këto çifte sa fëmijë kanë mesatarisht? Kanë formuar familje më vete apo jetojnë me familjet e burrit? A ka divorce dhe, nëse ti di, cilat janë arsyet e shprehura për divorc? Nëse ka, çfarë ka bërë gruaja shqiptare, është kthyer apo jo?

Nga 42 gratë e intervistuara, nga koha kur është bërë ky studim, 6 prej tyre nuk kishin fëmijë, ndërsa të tjerat kishin mesatarisht nga 3 fëmijë secila; gjithsej nga këto martesa kishin ardhur në jetë 92 fëmijë. Këto çifte nuk kanë krijuar familje më vete, por kanë nisur jetesën në familjet e bashkëshortëve serbë, kryesisht me prindërit e tyre e shpesh edhe me vëllezërit apo motrat e bashkëshortit. Nëse me familje bërthame do t’i referohemi burrit, gruas dhe (nëse kanë) fëmijëve, nga 42 gratë pjesëmarrëse, nga koha e këtij studimi, 17 prej tyre jetonin në familje bërthamë (një pjesë e tyre e ishin nisur jetën të paktën me njërin nga prindërit e bashkëshortit, por që ishte ndarë nga jeta); dhe 25 prej tyre jetonin me bashkëshortin, fëmijët, prindërit e bashkëshortit (të paktën me njërin nga prindërit) dhe disa raste me vëllain/motrën e bashkëshortit.

Gjatë kohës në terren kam dëgjuar për raste divorcesh mes martesave shqiptaro-serbe, dhe sipas atyre grave që kam hapur këtë bisedë, janë të ndryshme arsyet që çojnë në ndarje; mund të jenë mosmarrëveshjet mes bashkëshortëve për shkak të kulturave të ndryshme, ose pakënaqësitë që mund të kenë gratë shqiptare në lidhje me kushtet e jetesës. Në raste të divorceve, gratë shqiptare braktisin familjen e bashkëshortëve dhe janë kthyer në vendin e tyre.

Sjellja e përditshme në këto familje, qoftë mes bashkëshortëve apo familjarëve të tjerë? Gjuha që përdoret brenda në familje? Besimi fetar i grave shqiptare? Besimi fetar i fëmijëve? Gjuha që përdorin fëmijët? A dinë shqip fëmijët, dhe nëse i pyet çfarë jeni si përgjigjen ata? Marrëdhënia e këtyre familjeve me krushqinë shqiptare, si është?
Gjatë vitit të parë, këto gra, në çdo ditë të jetesës së tyre, janë në një proces të pandërprerë mësimi, përthithje dhe përvetësimi të çdo gjëje që shohin, që dëgjojnë dhe përjetojnë. Veçanërisht tre muajt e parë janë jashtëzakonisht të vështirë, pasi komunikimi me fjalë nuk ekziston, vetëm me shenja, me të prekur dhe me gjeste. Pas muajit të tretë, fillojnë të mësojnë fjalë të objekteve, të ushqimeve, fjalët përshëndetëse ose ndërtimin e fjalive të shkurtra. Sipas grave pjesëmarrëse, pas muajt të gjashtë ato fillojnë të kuptojnë, por duhet një vit (deri në një vit e gjysmë) që të fillojnë të flasin pa vështirësi. Sipas pjesëmarrësve, çdo gjë fillon me “tregoj” dhe “shkruaj”.

Burrat shprehen se fjalët e para që ua kanë mësuar bashkëshorteve kanë qenë objekte në shtëpi dhe më shumë fjalë që lidhen me kuzhinën. Sipas tyre çdo gjë fillon me “prek objektin” dhe “shkruaj”. Burrat shprehen se fjalët e para kanë qenë objektet rreth tyre (orenditë e shtëpisë, enët e kuzhinës, ushqimet, emrat e kafshëve). Ata tregojnë se kanë prekur objektin duke i thënë emërtimin në serbisht (disa herë) dhe gratë e tyre kanë shkruar fjalën që kanë dëgjuar në serbisht dhe kuptimin në shqip. Në disa raste, gratë shprehen se kanë përdorur fjalor serbisht-shqip, duke thënë se fjalori ka qenë një ndihmesë shumë e madhe. Me mësimin e gjuhës, gradualisht nis dhe procesi i adoptimit. Gratë fillojnë të kuptojnë dhe të njohin familjarët më të cilët jetojnë, fillojnë të njohin bashkëshortin, me të cilin ndajnë shtratin, fillojnë të kuptojnë bisedat familjare, të shkëmbejnë biseda me komshinjtë dhe të bëjnë pazarin e shtëpisë. Pra, është gjuha që i lidh me vendin, i bën të kuptojnë botën rreth tyre.

Gjuha e folur dhe e përdorur brenda në familje është vazhdimisht gjuha Serbe. Përveç tri grave që janë të besimit mysliman, tridhjetë e nëntë të tjera i përkisnin besimit katolik. Pas martese u është dashur të ndryshojnë besimin fetar, nga feja e krishterë/myslimane në fenë ortodokse. Rastet më të shumta shprehen se ky ndryshim nuk ka qenë i dëshiruar, por ka ardhur si kërkesë nga bashkëshorti dhe familjarët e tij. Kur flisnin për besimin fetar, këto gra i referohen vetes si dy persona: jam ortodokse në Serbi dhe katolike/myslimane në Shqipëri.

Dukej qartë se identiteti i tyre fetar ishte lëkundur, por nuk kishte humbur akoma. Ato shpreheshin se fëmijët e tyre kishin besim ortodoks dhe nuk kishin menduar asnjëherë që t’u përcillnin besimin e tyre. Gjuha që përdornin fëmijët ishte serbishtja, por edhe vetë ato tregonin përpjekje për t’u mësuar gjuhën shqipe. Kishte fëmijë që flisnin dhe kuptonin shumë mirë shqip apo fëmijë që më shumë kuptonin sesa flisnin, por dhe raste që arrinin të kuptonin dhe flisnin vetëm përshëndetjet bazë. Të dyja palët shpreheshin se marrëdhëniet me krushqinë shqiptare i kishin shumë të mira dhe se të dyja palët vizitonin njëra-tjetrën sa herë që krijoheshin mundësitë.