Varroset babai i Kadri Veselit, shumë pjesëmarrës në ceremoni

Ka nisur ceremonia e varrimit të Fazli Veselit, babait të Kadri Veselit.
Në varrimin e të ndjerit përveç familjarëve po marrin pjesë edhe një numër i madh i qytetarëve.
Fazli Veseli ndërroi jetë sot në moshën 94 vjeçare.

Deputetë e qytetarë të shumtë kanë ngushëlluar familjen Veseli për ndarjen nga jeta të kryefamiljarit Fazli Veseli.
Kadri Veseli po mungon në varrimin e babait të tij, pasi gjendet në qendrën e paraburgimit në Hagë.
Veseli e kishte takuar babain e tij për herë të fundit në maj të këtij viti. Ai ishte lejuar që të vinte për vizitë në Kosovë, meqenëse babai i tij ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Menjëherë pas arritjes në Kosovë, Veseli kishte vizituar spitalin e Mitrovicës “Dr.Sami Haxhibeqiri”, nën përcjelljen e forcave të shumta të sigurisë, përfshirë Policinë e Eulex-it.
Menjëherë pas kësaj vizite, Veseli ishte kthyer në paraburgim në Hagë, ku edhe ndodhet aktualisht.