Varianti afrikan i koronavirusit shqetëson shkencëtarët

Britania e Madhe, vendet afrikane, dhe jo vetëm, po shqetësohen ditët e fundit për një tjetër mutacion i koronavirusit SARS-CoV-2, pas atij të cilësuar si “mutacioni britanik”. Alarmin e dha vetë ministri i Shëndetësisë britanike, Matt Hancock dje. Hancock ka deklaruar se raste të infektimit me këtë lloj të koronavirusit mutacioni ishin zbuluar edhe në territorin e Britanisë së Bashkuar.

Po pse ky variant shqetëson në mënyrë të veçantë komunitetin shkencor?
“Jemi të shqetësuar për Afrikën e Jugut, madje për të gjithë Afrikën. Virusi po tregohet më i zgjuar se ne”, thotë profesor Tulio De Oliveira, një nga ekspertët ndërkombëtar të sëmundjeve infektive.

Mutacioni afrikan, i quajtur 501.V2, duket një variacion më i përparuar i mutacionit britanik, dhe ka rritur në mënyrë të ndjeshme shifrat e bilancit në Afrikën e Jugut, ku rastet pozitive janë trefishuar gjatë javës së fundit, dhe ku variacioni afrikan përbën tashmë rreth 90% të rasteve të reja.

Sipas autoriteteve, risia e këtij varianti është shpejtësia e transmetimit, veçanërisht tek të rinjtë, duke vënë sërish në diskutim efikasitetin e vaksinave të përpunuara deri më tani. Gjithsesi, për momentin nuk ka asnjë evidencë që këto forma të reja dhe më agresive të SARS-Cov-2 nuk do të përfshihen në mbrojtjen e siguruar nga vaksinat që kanë filluar tashmë të injektohen në popullsi.